Shqipëria ka një avantazh të rëndësishëm në rajon për shkak të energjisë së pastër, por ky avantazh nuk e mbron plotësisht industrinë nga presioni i rregullave të reja mjedisore të Bashkimit Evropian. Sektorë si çimentoja dhe nafta mbeten ndër më të ekspozuarit ndaj kërkesave për uljen e emetimeve, sidomos nëse prodhimi synon tregun evropian.
Këto janë disa nga gjetjet e raportit “Për potencialin e teknologjive të avancuara dhe të gjelbra në Ballkanin Perëndimor” i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, i cili vëren se Shqipëria prodhon pothuajse 100% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme në një vit me reshje të mira, kryesisht përmes hidrocentraleve. Kjo i jep vendit një profil më të pastër energjetik krahasuar me disa ekonomi të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku energjia mbështetet ende fort te qymyri.
Megjithatë, raporti thekson se industritë shqiptare nuk janë të gjitha të gjelbra. Ndër sektorët kryesorë të vendit përmenden përpunimi ushqimor, tekstilet dhe këpucët, materialet e ndërtimit, përfshirë çimenton, si dhe nxjerrja apo përpunimi i naftës. Pikërisht çimentoja dhe nafta cilësohen si ndër sektorët me emetime më të larta dhe nën presion për të ulur dioksidin e karbonit.
Rreziku kryesor lidhet me CBAM, mekanizmin e Bashkimit Evropian që vendos kosto për karbonin në kufi. Ky mekanizëm pritet të ndikojë produktet që hyjnë në tregun evropian dhe që prodhohen me emetime të larta. Për Shqipërinë, raporti përmend se eksportet e çimentos mund të përballen në të ardhmen me tarifa të tilla, nëse nuk ulen emetimet dhe nëse nuk dokumentohet më mirë gjurma e karbonit.
Në rajon, ekspozimi ndaj CBAM është më i lartë për Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku eksportet e mbuluara nga ky mekanizëm vlerësohen në rreth 4 deri në 6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Këto vende kanë edhe intensitet më të lartë karboni në prodhimin e energjisë, rreth 1.0 deri në 1.1 ton CO₂ për MWh, shumë më lart se mesatarja e rrjetit të BE-së.
Shqipëria dhe Kosova vlerësohen si më pak të ekspozuara në afatshkurtër, por për arsye të ndryshme. Shqipëria për shkak të energjisë nga hidrocentralet, ndërsa Kosova për shkak të nivelit më të ulët të eksporteve drejt BE-së. Megjithatë, raporti paralajmëron se edhe këto ekonomi duhet të përafrohen me objektivat klimatike të BE-së për të ruajtur aksesin në treg dhe për të tërhequr investime.
Për Shqipërinë, sfida është e dyfishtë. Nga njëra anë, vendi duhet të ruajë avantazhin e energjisë së rinovueshme. Nga ana tjetër, duhet të ulë emetimet në sektorët ku ndotja vjen jo vetëm nga energjia, por edhe nga vetë procesi i prodhimit, siç ndodh me çimenton.
Raporti vëren se Shqipëria po përpiqet të zgjerojë burimet e rinovueshme përtej hidrocentraleve. Projekti diellor i Karavastasë me kapacitet 140 MW, projekti i Spitallës me 100 MW dhe ankandi i parë për energjinë e erës me rreth 150 MW synojnë të ulin varësinë nga reshjet dhe të rrisin sigurinë e furnizimit me energji.
Po kështu e rëndësishme mbetet efiçenca e energjisë në industri. Ligji i ri për efiçencën kërkon që industritë e mëdha të kryejnë auditime energjetike. Sipas raportit, disa biznese, përfshirë magazinat frigoriferike, fabrikat e birrës dhe fabrikat e çimentos, kanë nisur të përmirësojnë teknologjitë për të ulur konsumin e energjisë, shpesh me mbështetje nga fondet IPA të Bashkimit Evropian ose kreditë e BERZH-it.
Këto masa tregojnë se presioni ndaj industrisë shqiptare nuk lidhet vetëm me rregullat evropiane, por edhe me nevojën për të ulur kostot dhe për të modernizuar prodhimin. Fabrikat që përdorin më pak energji, që matin emetimet dhe që arrijnë të dokumentojnë prodhim më të pastër do të kenë më shumë mundësi të ruajnë konkurrueshmërinë në tregun evropian. /ekofin.al

