Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se po vijon procesi i faljes automatike të detyrimeve tatimore të papaguara, në kuadër të ligjit të faljes. Sipas të dhënave të publikuara nga administrata tatimore, sot nga ky proces kanë përfituar 10,593 tatimpagues, ndërsa vlera e detyrimeve të fshira apo të shuara arrin në 2.1 milionë euro.
Falja përfshin disa kategori detyrimesh që lidhen kryesisht me gjoba, interesa dhe penalitete të krijuara nga deklarime të vonuara, mosdeklarime apo korrigjime të mëvonshme në sistemin tatimor. Procesi kryhet automatikisht nga sistemi për rastet që plotësojnë kushtet e përcaktuara, pa pasur nevojë që tatimpaguesit të ndjekin procedura të veçanta aplikimi për kategoritë që përfshihen në falje.
Sipas njoftimit, janë falur gjobat për mosdeklarim në afat, të llogaritura automatikisht nga sistemi deri më 31 dhjetor 2024, përfshirë edhe ato që lidhen me deklarimin e të punësuarve. Po ashtu, falja përfshin gjobat për deklarata të padorëzuara për periudha deri më 31 dhjetor 2024, me kusht që deklaratat të dorëzohen deri më 30 qershor 2026.
Në proces përfshihen edhe gjobat për dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare dhe të vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri në fund të vitit 2024. Një tjetër kategori janë gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet në listëpagesa, si rezultat i akteve me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Administrata tatimore e paraqet këtë proces si një mekanizëm lehtësues për tatimpaguesit, veçanërisht për ata që kanë detyrime të krijuara nga penalitete administrative apo vonesa në deklarim. Përmes faljes automatike synohet pastrimi i një pjese të detyrimeve të vjetra në sistem dhe ulja e barrës financiare për subjektet që plotësojnë kriteret ligjore. /ekofin.al

