Inflacioni, sidomos ai i viteve të fundit, që ka qënë relativisht shumë i lartë, ka sjellë jo pak probleme, sidomos me shtresat vulnerabël të popullsisë, ku përfshihen edhe pensionistët. Edhe pse ka patur diskutime për ndërmarrjen e një reforme të re të sistemit të pensioneve, burimet bëjnë me dije për Ekofin.al se një gjë e tillë nuk do të ndodhë brenda këtij viti.
Në bashkëpunim me Bankën Botërore, Qeveria po shqyrton mundësitë për aplikimin e një rritjeje sidomos për pensioneve e ulëta, ato poshtë 15.000 lekë, por pa cënuar në përgjithësi shëndetshmërinë e skemës, e cila përballet me presione, kjo edhe për shkak të rritjes nga viti në viti në moshës mesatare të popullsisë, si edhe fenomeneve që lidhen me emigrimin, kryesisht të moshave të reja dhe krahut të punës.
Në buxhetin e këtij viti, janë parashikuar 4.1 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve, i cili parashikohet të aplikohet duke nisur nga data 1 Tetor. Sipas përllogaritjeve të deritanishme, indeksimi pritet të realizohet në masën 3.7%, shifër që në final do të kalkulohet nga INSTAT bazuar në inflacionin e dedikuar për produket e konsumit më të përdorura nga pensionistët. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë sesa inflacioni i korrikut, që ishte në nivelin 2.1%.
Megjithatë, përsëri indeksimi në këto nivele, sidomos për pensionet deri në 15.000, ku rezulton një pjesë e konsiderueshmë e pensionistëve, është thuajse i papërfillshëm. Sipas vijimit të aplikimit të skemës së indeksimit në bllok, për pensionet 10.000 lek, rritja do të ishte diçka më pak se 400 lek në muaj, ose diku te 13 lek në ditë.
Në këtë mënyrë, edhe përgjatë këtij viti, pensionistët do të vijojnë të përballen me efektet vazhduese të inflacionit, edhe pse aktualisht, ai është në norma të ulëta. Megjithatë, sipas vlerësimeve, inflacioni i ushqimeve mbetet në nivele relativisht të larta, ndërsa nga Eurozona janë dhënë disa sinjale për rikthim të inflacionit për muajt e mbetur deri në fund të vitit 2024. Ekofin.al
