Visa, një lider global në pagesat digjitale, ka lançuar programin Agentic Ready në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, Lindjes së Mesme dhe Afrikës (CEMEA), duke u mundësuar institucioneve financiare të testojnë për herë të parë mënyrën se si funksionojnë pagesat e iniciuara nga agjentë të inteligjencës artificiale në emër të përdoruesve. Programi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të një gjenerate të re të tregtisë digjitale, duke ruajtur njëkohësisht sigurinë, besimin dhe kontrollin që janë themeli i rrjetit Visa.
Në fazën e tij të parë, programi fokusohet te bankat emetuese të kartave dhe u mundëson atyre të testojnë, verifikojnë dhe kuptojnë më mirë se si funksionojnë transaksionet e kryera nga agjentë AI në emër të përdoruesve, në kushte që simulojnë një mjedis real tregu. Në këtë mënyrë, institucionet financiare mund të vlerësojnë gatishmërinë e tyre për të mbështetur modele të reja tregtie të bazuara në inteligjencë artificiale, duke ruajtur standardet e sigurisë dhe mbrojtjes së përdoruesit për të cilat Visa njihet.
Për shembull, në vend që të kërkojë vetë në një numër të madh faqesh dhe ofertash, një përdorues në të ardhmen mund t’i kërkojë një asistenti AI të gjejë biletën më të lirë të avionit ose të rezervojë akomodim brenda një buxheti të caktuar. Agjenti më pas mund të kryejë kërkimin, përzgjedhjen dhe pagesën në përputhje me rregullat e përcaktuara më parë dhe nën kontroll të plotë të përdoruesit.
Skenarë të tillë nuk janë më thjesht koncept i së ardhmes. Sipas kërkimeve të Visa, deri në 83% e konsumatorëve në rajon tashmë përdorin inteligjencën artificiale si mbështetje gjatë blerjeve, duke treguar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të mjeteve AI në kërkimin e produkteve, krahasimin e ofertave dhe marrjen e vendimeve për blerje.
“Ne në rajon po shohim një dëshirë të madhe për inovacion, por edhe një nevojë të qartë që përvojat e reja të pagesave të prezantohen në mënyrë që të frymëzojnë besim te njerëzit. Ndërsa inteligjenca artificiale po luan një rol gjithnjë e më të madh në tregti, bankat emetuese do të kenë një rol kyç në ndërtimin e besimit të përdoruesve. Programi Visa Agentic Ready u jep klientëve tanë një mënyrë praktike për të kuptuar, testuar dhe përgatitur pagesat e iniciuara nga agjentët AI, të mbështetura nga mekanizmat e sigurisë, kontrollet dhe kapacitetet e rrjetit që kanë qenë themeli i rrjetit të besueshëm Visa për dekada,” tha Godfrey Sullivan, Zëvendëspresident i Lartë dhe Drejtues i Produkteve dhe Zgjidhjeve në Visa për Evropën Qendrore dhe Lindore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën.
Zgjerimi i përdorimit të inteligjencës gjenerative në Evropë po ndodh me ritme të ndryshme, por Shqipëria dhe Kosova dallohen ndër tregjet më aktive në rajon dhe më gjerë. Sipas të dhënave nga European Working Conditions Survey, publikuar në fund të prillit, rreth 12% e punonjësve në Bashkimin Evropian përdorin inteligjencën gjenerative në punë. Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 11-të[1], me 18% të punonjësve që përdorin këto teknologji, në nivel me vende si Gjermania, Austria dhe Finlanda, dhe vetëm pak poshtë Holandës (19%).
Programi Visa Agentic Ready është ndërtuar mbi kapacitetet bazë të rrjetit Visa dhe kombinon teknologji si tokenizimi, identiteti digjital, menaxhimi i rrezikut dhe mekanizmat e avancuar të kontrollit për të mundësuar pagesa të sigurta të iniciuara nga agjentë AI. Nisma mbështetet gjithashtu në Visa Intelligent Commerce, një portofol zgjidhjesh i fokusuar në zhvillimin e përvojave tregtare të fuqizuara nga inteligjenca artificiale.
Zhvillimi i tregtisë së drejtuar nga AI kërkon bashkëpunim të ngushtë në të gjithë ekosistemin e pagesave. Prandaj, përmes programit Agentic Ready, pjesë e nismës më të gjerë Visa Intelligent Commerce, Visa bashkon institucionet financiare nga i gjithë rajoni dhe u mundëson atyre të fitojnë përvojë praktike para përdorimit më të gjerë të kësaj teknologjie. Në këtë mënyrë, Visa vazhdon të zhvillojë zgjidhje të sigurta dhe të besueshme që përfaqësojnë të ardhmen e tregtisë digjitale.

