Close Menu
Ekofin
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English

Trump kërcënon me tarifë 100% ndaj verës dhe shampanjës franceze për shkak të taksës digjitale

11:07 - Qershor 16, 2026

Abuzimi me fondet e BE-së çon në burg, qeveria propozon ashpërsim të Kodit Penal dhe dënime deri në 12 vite

09:53 - Qershor 16, 2026

Tatimet sqarojnë ligjin e faljes fiskale: Kush përfiton, kush përjashtohet dhe cilat janë afatet

09:22 - Qershor 16, 2026
Facebook X (Twitter) Instagram
Facebook Instagram X (Twitter) LinkedIn
EkofinEkofin
Subscribe
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Biznes
  • Tregje
  • Turizëm
  • Green
  • Të tjera
  • Blog
  • English
Ekofin

AKEP: Heqja e tarifave roaming me BE-në, proces me kosto financiare, por me përfitime për qytetarët

05:55 - Qershor 16, 2026 Kryesore
Shpërndaje
Facebook Twitter Pinterest Email WhatsApp

Për vendet e Ballkanit Perëndimor po afrohet një tjetër hap i rëndësishëm drejt integrimit në tregun unik europian. Bashkimi Europian ka vendosur të nisë negociatat me Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën për krijimin e kushteve që do të mundësojnë heqjen graduale të tarifave roaming mes rajonit dhe vendeve të BE-së, duke synuar zbatimin e modelit “Roam Like at Home”.

Ky proces pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke ulur kostot e komunikimit gjatë udhëtimeve në Europë, por edhe duke afruar më tej tregjet e komunikimeve elektronike të rajonit me standardet europiane.

Për të kuptuar më mirë se çfarë nënkupton ky vendim, cilat janë hapat që duhen ndërmarrë nga Shqipëria dhe operatorët e telefonisë celulare, si dhe sa afër jemi realizimit të roamingut pa tarifa me Bashkimin Europian, Ekofin.al zhvilloi një intervistë me Gazmir Manin, Drejtor i Drejtorisë Rregullatore dhe Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Në këtë intervistë ai shpjegon sfidat, pritshmëritë dhe ndikimin që ky proces do të ketë për konsumatorët shqiptarë dhe industrinë e komunikimeve elektronike në vend.

Si e vlerëson AKEP vendimin e Këshillit të BE-së për negociatat për “Roam Like at Home”?

AKEP e vlerëson vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor për përfshirjen në skemën “Roam Like at Home” (RLAH) si një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe strategjik në rrugën e integrimit të rajonit me tregun unik evropian të komunikimeve elektronike.

Vendimi për t’i dhënë dritën jeshile procesit të fillimit të negociatave dypalëshe të drejtpërdrejta ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian vjen pas një procesi të gjatë diskutimesh mbi nevojën për përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në iniciativën “Roam Like at Home” të BE-së, si edhe mbi hartimin e akteve të nevojshme ligjore dhe përgatitjen teknike nga ana e operatorëve për zbatimin me sukses të këtij modeli.

Ky vendim nuk është thjesht një hap teknik, por një sinjal i qartë i vullnetit të Bashkimit Evropian për të afruar më tej qytetarët dhe tregjet e rajonit me standardet evropiane të shërbimeve digjitale. Në këtë kuptim, AKEP e sheh këtë proces si pjesë të një udhërrëfyesi më të gjerë, i cili mbështetet në zbatimin e marrëveshjes rajonale të roaming-ut, rritjen e transparencës në treg, përafrimin e plotë me acquis të Bashkimit Evropian dhe përmirësimin e klimës së investimeve në sektor.

Çfarë do të thotë ky vendim për qytetarët dhe operatorët?

Heqja e tarifave shtesë të roaming-ut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian po kalon në fazën e negociatave zyrtare për fillimin e zbatimit të modelit “Roam Like at Home” (“Fol si në shtëpi”). Zbatimi i këtij modeli sjell përfitime të jashtëzakonshme dhe të prekshme si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset. Njëkohësisht, fillimi i aplikimit të regjimit “Roam Like at Home” ndikon edhe te operatorët që ofrojnë këtë shërbim.

− Për qytetarët dhe bizneset, perspektiva është një akses më i thjeshtë dhe më i përballueshëm në shërbimet e komunikimit gjatë udhëtimeve ndërkombëtare, në përputhje me parimet e tregut evropian. Qytetarët dhe bizneset nuk do të kenë më frikë nga faturat e larta pas udhëtimeve në vendet e BE-së. Telefonatat, SMS-të dhe interneti celular (data) do të tarifohen me të njëjtat çmime si paketa që përdorin në vendin e tyre të origjinës. Gjithashtu, ky proces pritet të sjellë ndikim pozitiv edhe në turizëm, pasi turistët nga BE-ja që vizitojnë vendin tonë do të mund të përdorin telefonat e tyre lirisht, njësoj si turistët shqiptarë gjatë qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo u mundëson atyre të gjejnë më lehtë biznese lokale, si restorante, hotele apo agjenci udhëtimi, të kryejnë pagesa digjitale dhe të promovojnë përvojën e tyre turistike në kohë reale.

Heqja e tarifave të roaming-ut me Bashkimin Evropian përbën një transformim të rëndësishëm për operatorët e telefonisë celulare. Ndonëse për qytetarët dhe bizneset RLAH sjell përfitime të konsiderueshme, si në aspektin financiar ashtu edhe në cilësinë e shërbimit, për operatorët celularë ky proces shoqërohet me sfida financiare dhe teknike, por edhe me mundësi të reja strategjike.

Fillimi i aplikimit të RLAH me vendet e BE-së do të ndikojë në të ardhurat që operatorët në Shqipëri sigurojnë nga paketat vendase që u ofrohen vizitorëve të huaj, si edhe nga shitja e paketave roaming për pajtimtarët e tyre gjatë qëndrimit në roaming në vendet e Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, ky proces kërkon që tarifat e terminimit të thirrjeve mobile në Shqipëri të harmonizohen me ato të vendeve të BE-së (Eurotarifa), gjë që do të ndikojë në të ardhurat që operatorët gjenerojnë nga ky shërbim.

Përfshirja e operatorëve celularë të Shqipërisë në iniciativën RLAH me vendet e Bashkimit Evropian kërkon gjithashtu përshtatjen e sistemeve teknike dhe të faturimit me kërkesat e tregut evropian, proces i cili përkthehet në kosto dhe ndikim financiar për operatorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, përtej efekteve financiare afatshkurtra, ky proces paraqet edhe mundësi dhe përfitime afatgjata. Si rezultat i aplikimit të modelit RLAH me vendet e BE-së, volumet e trafikut pritet të rriten ndjeshëm, veçanërisht për shërbimet e internetit celular. Si efekt i ekonomive të shkallës, kjo pritet të ndikojë pozitivisht në të ardhurat e operatorëve në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

AKEP e konsideron këtë si një proces tranzicioni të domosdoshëm, i cili synon të sigurojë një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesit të konsumatorëve dhe qëndrueshmërisë së tregut. Ky proces do të shërbejë si një shtysë e fuqishme afatgjatë për modernizimin e sektorit, rritjen e volumit të trafikut dhe integrimin e plotë në tregun evropian të telekomunikacioneve.

Në çfarë faze ndodhet Shqipëria në harmonizimin me acquis të BE-së?

Shqipëria ka bërë progres të konsiderueshëm në përafrimin e kuadrit ligjor për komunikimet elektronike me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit të kaluar dhe në vijim, ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të AKEP-it janë angazhuar si në pjesëmarrjen në tryezat e diskutimit dhe trajnimet e organizuara nga Komisioni Evropian, ashtu edhe në përgatitjen e draft-akteve të nevojshme që mundësojnë harmonizimin e plotë të legjislacionit vendas me atë të Bashkimit Evropian.

I gjithë seti i draft-akteve është parapërgatitur dhe tashmë pritet fillimi i diskutimeve të drejtpërdrejta për finalizimin e procesit të përfshirjes në RLAH me Bashkimin Evropian.

Dëshirojmë të nënvizojmë se procesi i heqjes së tarifave shtesë të roaming-ut është dinamik dhe kërkon një qasje të integruar, e cila kombinon aspektet ligjore, teknike dhe institucionale për të garantuar një zbatim të suksesshëm dhe të qëndrueshëm.

Cilat janë kërkesat kryesore për përfshirjen në “Roam like at home”?

Procesi kërkon përmbushjen e disa kushteve thelbësore, si:
zbatimin e plotë të akteve rregullatore (acquis) të Bashkimit Evropian në fushën e roaming-ut; krijimin dhe funksionimin e mekanizmave efektivë të monitorimit dhe kontrollit rregullator, me qëllim garantimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe të konkurrencës së ndershme në treg; zbatimin e parimit të mosdiskriminimit dhe sigurimin e transparencës së plotë tarifore për konsumatorët; si edhe disponimin e kapaciteteve teknike për ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

AKEP vlerëson se këto kërkesa duhet të trajtohen në mënyrë të balancuar, duke marrë në konsideratë edhe specifikat që burojnë nga përvoja e zbatimit të RLAH në tregjet respektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të zbatimit të përcaktimeve të Ligjit nr. 54/2024 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë”, AKEP po punon në mënyrë të vazhdueshme për forcimin e kuadrit rregullator, veçanërisht në fushën e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorit, me qëllim që Shqipëria të jetë e përgatitur për integrimin e plotë në tregun e përbashkët evropian të roaming-ut.

A ka një afat për përfshirjen e Shqipërisë në skemën “Roam like at Home”?

Aktualisht nuk ka një datë fikse për përfshirjen e Shqipërisë në skemën “Roam Like at Home”, pasi ky është një proces i lidhur drejtpërdrejt me negociatat me Bashkimin Evropian dhe me përmbushjen e plotë të kushteve ligjore, rregullatore dhe teknike të nevojshme për këtë qëllim.

Në të njëjtën kohë, ekziston një angazhim i qartë politik dhe teknik për ta çuar përpara këtë proces me ritmin më të shpejtë të mundshëm. Nëse progresi vijon pozitivisht dhe vlerësimi i Komisionit Evropian është i favorshëm, krijohet mundësia që përfitimet e këtij regjimi të fillojnë të ndihen nga qytetarët në një të ardhme relativisht të afërt.

Megjithatë, ky është një proces që duhet të ecë mbi bazën e standardeve evropiane dhe të qëndrueshmërisë së tregut, jo mbi data të paracaktuara. Qëllimi përfundimtar mbetet garantimi i një zbatimi të sigurt, të qëndrueshëm dhe afatgjatë, si për qytetarët, ashtu edhe për operatorët.

A kërkohen investime nga operatorët?

Po, mund të kërkohen investime shtesë. Megjithëse operatorët në Shqipëri disponojnë tashmë infrastrukturë dhe sisteme të avancuara për ofrimin e shërbimeve të roaming-ut kombëtar dhe ndërkombëtar, integrimi i plotë në një regjim si RLAH me rrjetet e vendeve të Bashkimit Evropian mund të kërkojë: përmirësime në sistemet e faturimit dhe raportimit; rritje të nivelit të automatizimit në shkëmbimin e të dhënave ndërmjet operatorëve; si edhe përshtatje me kërkesat e reja që lidhen me transparencën, monitorimin dhe kontrollin rregullator.

Ky është një proces normal evolutiv në kuadër të harmonizimit me tregun evropian të komunikimeve elektronike dhe investime të tilla përbëjnë një pjesë të natyrshme të procesit të përafrimit me standardet dhe kërkesat e Bashkimit Evropian.

Cilat janë mësimet që ka nxjerrë vendi ynë nga roaming-u rajonal në Ballkanin Perëndimor?

Zbatimi i regjimit të roaming-ut rajonal në Ballkanin Perëndimor përbën një histori suksesi, e cila shërben edhe si një bazë e rëndësishme për zgjerimin e këtij modeli në raport me vendet e Bashkimit Evropian.

Po ashtu, zbatimi me sukses i RLAH ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor ka dëshmuar angazhimin serioz si të institucioneve shtetërore dhe rregullatorëve të sektorit, ashtu edhe të operatorëve të komunikimeve elektronike, të cilët kanë treguar gatishmëri për të bërë të mundur zbatimin me sukses të këtij regjimi në nivel rajonal.

Që prej 1 korrikut 2021, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor lëvizin dhe komunikojnë në rajon pa tarifa shtesë roaming-u, duke përdorur njësitë e paketave të tyre kombëtare njësoj si në vendin e origjinës, pa pasur nevojë për blerjen e paketave shtesë roaming.

Ndikimi pozitiv i këtij regjimi është evidentuar si në rritjen e ndjeshme të përdorimit të shërbimeve roaming, veçanërisht të internetit celular, ashtu edhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet operatorëve dhe rregullatorëve të vendeve të rajonit.

Eksperienca e fituar nga vendet dhe operatorët e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e roaming-ut rajonal përbën një bazë praktike shumë të vlefshme për kalimin drejt një regjimi më të gjerë, që përfshin edhe vendet e Bashkimit Evropian. Kjo eksperiencë i bën të gjithë aktorët e përfshirë më të përgatitur për zhvillimin e një procesi të suksesshëm të integrimit në regjimin “Roam Like at Home” me BE-në.

Cilat janë përfitimet ekonomike dhe sociale?

Përvoja e deritanishme e zbatimit të RLAH në Ballkanin Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian tregon se heqja e tarifave shtesë të roaming-ut ka sjellë ulje të kostove për përdoruesit, rritje të përdorimit të shërbimeve dhe shtim të konsiderueshëm të konsumit të internetit celular gjatë qëndrimit në roaming.

Përfitimet janë të shumëfishta: lehtësim i komunikimit për qytetarët, pasi nuk do të jetë më e nevojshme që, me të mbërritur në një vend të Bashkimit Evropian, të kërkojnë rrjete Wi-Fi apo të blejnë karta SIM lokale; ulje e kostove të komunikimit ndërkombëtar, duke sjellë menaxhim më të mirë të shpenzimeve për shërbimet celulare në roaming dhe përmirësim të përvojës së përdoruesit; mbështetje për bizneset, turizmin dhe lëvizshmërinë e studentëve, profesionistëve dhe kategorive të tjera që udhëtojnë shpesh; si edhe forcim i integrimit digjital me Bashkimin Evropian dhe rritje e aksesit në shërbimet digjitale.

Në një perspektivë më të gjerë, ky proces kontribuon në reduktimin e barrierave digjitale dhe në afrimin e mëtejshëm me tregun unik evropian.

A është ky një hap drejt Tregut të Vetëm Digjital?

Roaming-u është një nga elementët më të dukshëm dhe më të prekshëm të integrimit digjital evropian.

Përfshirja e Shqipërisë në regjimin “Roam Like at Home” do të përbënte një hap konkret drejt harmonizimit me Tregun e Vetëm Digjital të Bashkimit Evropian. Ky proces do të kontribuonte në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërmjet operatorëve të rrjeteve celulare të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të BE-së, si edhe në rritjen e nivelit të përputhshmërisë me standardet evropiane në fushën e komunikimeve elektronike.

Në këtë kuptim, RLAH nuk përfaqëson vetëm një lehtësim për qytetarët gjatë udhëtimeve, por edhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë digjital të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

10. Bashkëpunimi institucional

Duke qenë se procesi i reduktimit dhe më pas i heqjes së plotë të tarifave shtesë të roaming-ut kërkon angazhim në nivel politikëbërës, rregullator dhe teknik, AKEP po bashkëpunon ngushtësisht me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrin e Shtetit dhe Kryenegociatoren, si edhe me operatorët celularë, me qëllim që pala shqiptare të ndërmarrë të gjitha hapat dhe nismat e nevojshme për mundësimin e fillimit të suksesshëm të regjimit “Roam Like at Home” me vendet e Bashkimit Evropian.

Në këtë kuadër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe AKEP kanë qenë pjesë aktive e tryezave të përbashkëta të organizuara nga Komisioni Evropian, nëpërmjet koordinimit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC). Në këto takime kanë marrë pjesë përfaqësues të ministrive përgjegjëse për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (ICT) të vendeve të Ballkanit Perëndimor, rregullatorë të sektorit, si dhe përfaqësues të strukturave të Komisionit Evropian.

Gjithashtu, janë zhvilluar komunikime të vazhdueshme me BEREC (Organi i Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike), ku AKEP merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit, si dhe me autoritetet homologe rregullatore të vendeve fqinje dhe të Bashkimit Evropian.

AKEP mban gjithashtu një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm me operatorët celularë vendas, Vodafone Albania dhe One Albania, për t’i informuar mbi ecurinë e procesit dhe për të koordinuar të gjithë hapat teknikë dhe rregullatorë të nevojshëm për mundësimin e zbatimit të RLAH në përputhje me afatet dhe përcaktimet që do të burojnë nga marrëveshjet me Bashkimin Evropian.

Cilat janë sfidat kryesore për Shqipërinë?

Procesi i integrimit në modelin e roaming-ut “Roam Like at Home” është kompleks dhe shoqërohet me një sërë sfidash që lidhen me harmonizimin ligjor dhe teknik, përshtatjen e sistemeve të faturimit dhe raportimit, si dhe garantimin e një ekuilibri të drejtë ndërmjet interesave të konsumatorëve dhe qëndrueshmërisë financiare të operatorëve.

Për të shmangur çdo efekt të padëshiruar në konkurrencë apo në stabilitetin financiar të sektorit, AKEP e konsideron të domosdoshëm zhvillimin e një procesi gradual, të kujdesshëm dhe të mirëanalizuar në çdo fazë të tij.

Ndër sfidat kryesore për operatorët celularë mund të përmenden ndikimet fillestare që mund të vijnë si rezultat i reduktimit të tarifave të shërbimeve roaming, si edhe nga harmonizimi dhe reduktimi i tarifave të terminimit të thirrjeve ndërkombëtare.

Po aq e rëndësishme mbetet edhe gatishmëria e operatorëve vendas për të përshtatur sistemet e tyre teknike dhe operacionale, me qëllim garantimin e ofrimit të shërbimeve me cilësi të lartë sipas standardeve të Bashkimit Evropian, si dhe sigurimin e ndërveprimit të plotë me sistemet dhe rrjetet e operatorëve të vendeve anëtare të BE-së.

Megjithatë, eksperienca e deritanishme e vendeve të Ballkanit Perëndimor në zbatimin e roaming-ut rajonal tregon se këto sfida janë të menaxhueshme dhe se përfitimet afatgjata të integrimit në regjimin “Roam Like at Home” tejkalojnë kostot dhe vështirësitë e fazës së tranzicionit. /ekofin.al

Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ekofin Media
Ekofin Media
akep Këshilli i BE negociatat tarifat “Roam Like at Home”
Shpërndaje. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

Të ngjashme

Abuzimi me fondet e BE-së çon në burg, qeveria propozon ashpërsim të Kodit Penal dhe dënime deri në 12 vite

09:53 - Qershor 16, 2026

Tatimet sqarojnë ligjin e faljes fiskale: Kush përfiton, kush përjashtohet dhe cilat janë afatet

09:22 - Qershor 16, 2026

“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve francezë për pushimet verore

09:14 - Qershor 16, 2026
Komento
Leave A Reply Cancel Reply

Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media
Ekofin Media

Abuzimi me fondet e BE-së çon në burg, qeveria propozon ashpërsim të Kodit Penal dhe dënime deri në 12 vite

gazetar_109:53 - Qershor 16, 20260

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik një paketë ndryshimesh në Kodin Penal që synon të…

Tatimet sqarojnë ligjin e faljes fiskale: Kush përfiton, kush përjashtohet dhe cilat janë afatet

09:22 - Qershor 16, 2026

“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve francezë për pushimet verore

09:14 - Qershor 16, 2026

Bashkitë shpenzuan një të katërtën e buxhetit në 2 muajt e fundit të vitit 2025

06:01 - Qershor 16, 2026
Na Ndiqni
  • Facebook
  • Twitter
  • Instagram
Ekofin Media
Rreth nesh
Rreth nesh

Informacione, analiza, të dhëna rreth zhvillimeve ekonomike dhe financiare. Qytetarët në fokus. Gjithçka për transparencën. Ekofin Albania.

09:53 - Qershor 16, 2026

Abuzimi me fondet e BE-së çon në burg, qeveria propozon ashpërsim të Kodit Penal dhe dënime deri në 12 vite

09:22 - Qershor 16, 2026

Tatimet sqarojnë ligjin e faljes fiskale: Kush përfiton, kush përjashtohet dhe cilat janë afatet

09:14 - Qershor 16, 2026

“Le Figaro”: Shqipëria kryeson preferencat e turistëve francezë për pushimet verore

Trump kërcënon me tarifë 100% ndaj verës dhe shampanjës franceze për shkak të taksës digjitale

11:07 - Qershor 16, 2026

Abuzimi me fondet e BE-së çon në burg, qeveria propozon ashpërsim të Kodit Penal dhe dënime deri në 12 vite

09:53 - Qershor 16, 2026

Tatimet sqarojnë ligjin e faljes fiskale: Kush përfiton, kush përjashtohet dhe cilat janë afatet

09:22 - Qershor 16, 2026
© 2026 Ekofin. Crafted with love by BeeTech Solutions.

Shkruani togfjalëshin dhe shtypni Enter