Konflikti që prej muajsh ka bllokuar funksionimin dhe administrimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në një fazë të re përshkallëzimi. Kompania MABCO Constructions SA ka njoftuar se ka depozituar një kallëzim në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj gjyqtares Miranda Naka, ndërsa paralelisht ka nisur procedurat për arbitrazh ndërkombëtar kundër shtetit shqiptar për shkak të asaj që e konsideron si mosveprim institucional në mbrojtje të investimit të saj.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, MABCO pretendon se një vendim gjyqësor i marrë pa praninë e palëve ka penguar zëvendësimin e administratorit të shoqërisë VIA, pavarësisht faktit se kompania zotëron 98% të kuotave të saj. Sipas kompanisë, vendimi është marrë vetëm një ditë përpara mbledhjes së ortakëve që synonte shkarkimin e administratorit Valon Ademi, i emëruar nga ortaku me 2% të kuotave.
Kompania pretendon se kantieri i aeroportit vijon të mbetet i bllokuar prej më shumë se një muaji, duke shkaktuar dëme financiare dhe duke penguar përfundimin e një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore në vend. Sipas saj, vendimi i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, i datës 26 maj 2026, kishte rikthyer të drejtat e votës së ortakut mazhoritar dhe duhej të çonte në normalizimin e administrimit të shoqërisë.
MABCO deklaron se vendimi i fundit i Gjykatës së Shkallës së Parë bie ndesh me frymën dhe dispozitivin e vendimit të Gjykatës së Lartë, duke i mohuar ortakut shumicë të drejtën për të ushtruar kontrollin mbi kompaninë dhe për të zhbllokuar hyrjen në kantier.
Përtej kallëzimit penal, kompania ka paralajmëruar një betejë ndërkombëtare ligjore. Sipas deklaratës, qeveria shqiptare është informuar se MABCO ka nisur procedurat për arbitrazh ndërkombëtar, duke u mbështetur në të drejtat që rrjedhin nga kontrata koncesionare dhe marrëveshjet për mbrojtjen e investimeve të huaja.
Kompania argumenton se veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shtetërore kanë cenuar sigurinë juridike të investimit, mbrojtjen e pronës private dhe të drejtat e investitorit të huaj. Ajo pretendon se moslejimi i ushtrimit të kontrollit mbi VIA-n dhe bllokimi i vazhdueshëm i kantierit përbëjnë bazën e kërkesës që do të paraqitet në arbitrazh.
Një tjetër pikë e ngritur nga MABCO lidhet me kërkesat e saj për auditim financiar dhe teknik të projektit të Aeroportit të Vlorës. Sipas kompanisë, këto kërkesa janë paraqitur prej muajsh, por nuk janë realizuar nga institucionet kompetente. Kompania kërkon verifikimin e plotë të financimit të projektit dhe të standardeve teknike të veprës, duke argumentuar se transparenca mbi këto procese është thelbësore për sigurinë dhe certifikimin e aeroportit.
Në deklaratë, MABCO njofton se ka informuar Presidentin e Republikës, drejtuesit e partive politike, grupet parlamentare dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë për zhvillimet e fundit, të cilat sipas saj ngrenë pikëpyetje serioze mbi klimën e investimeve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Kompania u ka bërë gjithashtu thirrje të gjithë kontraktorëve, furnitorëve dhe partnerëve të VIA-s që të mos ndërmarrin asnjë veprim kontraktual pa miratimin e saj si aksioneri që zotëron 98% të kuotave, duke paralajmëruar se çdo marrëveshje e lidhur pa pëlqimin e ortakut mazhoritar do të kundërshtohet në rrugë ligjore. /ekofin.al

