Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me debatin e krijuar gjatë ditëve të fundit për cilësinë e uresë që tregtohet në tregun shqiptar, pas denoncimeve të bëra nga Qendra Alert dhe ankesave të fermerëve për mungesë efekti të produktit në kulturat bujqësore.
Qendra Alert kishte ngritur shqetësimin se një sasi ureje e tregtuar nga kompania Agroblend nuk përmbante nivelin e deklaruar të azotit, element kyç për efektivitetin e plehut kimik. Organizata publikoi edhe rezultate analizash laboratorike, sipas të cilave përmbajtja e azotit rezultonte më e ulët se niveli i deklaruar në etiketë. Paralelisht, një numër fermerësh kishin raportuar se produkti nuk kishte dhënë rezultatet e pritshme në të mbjellat e tyre, duke ngritur dyshime për cilësinë e plehut të hedhur në treg.
Pikërisht këto pretendime nxitën ndërhyrjen e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, i cili ndërmori një aksion kontrolli në shkallë kombëtare ndaj subjekteve që importojnë, magazinojnë dhe tregtojnë produktin plehërues, Ure.
Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, gjatë kontrolleve u verifikua fillimisht statusi ligjor i produkteve në treg dhe rezultoi se të gjitha produktet e kontrolluara ishin të regjistruara sipas kërkesave të ligjit nr.17/2020 “Për produktet plehëruese”.
Më tej, inspektorët morën gjithsej 15 mostra nga subjektet e kontrolluara, të cilat u dërguan për analizim pranë laboratorit të analizimit të produkteve plehëruese në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë-Krujë.
Rezultatet e analizave, sipas AKU-së, nuk konfirmuan pretendimet e ngritura në denoncime. Autoriteti bën të ditur se përqindja e azotit në të gjitha mostrat e testuara rezultoi në përputhje me atë të deklaruar në etiketë. Po ashtu, sipas laboratorit, produktet rezultuan konforme edhe për treguesit fizikë të formës, përmbajtjes dhe ngjyrës, sipas standardeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
Me këtë deklaratë, AKU në fakt rrëzon pretendimet se në treg po qarkullon ure me përmbajtje të ulët azoti ose produkte jashtë standardeve të miratuara. Megjithatë, përveç njoftimit, AKU nuk ka publikuar ende ndonjë fletë shoqëruese të analizave të kryera nga ana e institucionit.
Çështja mbetet e ndjeshme për fermerët, të cilët kanë raportuar humbje ekonomike dhe rezultate të dobëta në prodhim, duke ia atribuar ato cilësisë së plehrave kimikë. Diferenca mes analizave të publikuara nga Qendra Alert dhe rezultateve të kryera nga AKU pritet të mbetet objekt debati, ndërsa kërkesa për më shumë transparencë dhe analiza të pavarura në tregun e inputeve bujqësore vijon të jetë e fortë. /ekofin.al

