FIFA po integron avatarë të krijuar me inteligjencë artificiale, teknologji gjurmimi në topa dhe asistentë dixhitalë për trajnerët në Kupën e Botës të këtij viti.
Ndërsa FIFA përgatitet për nisjen e Kupës së Botës në Amerikën e Veriut, organizata pritet të vendosë teknologji të reja për të përmirësuar si lojën, ashtu edhe përvojën e tifozëve.
Nga avatarët e lojtarëve të krijuar me AI dhe topat e pajisur me sensorë, deri te një platformë me inteligjencë artificiale gjeneruese për analizën e ekipeve, organi drejtues i futbollit po prezanton mjete të projektuara për të ndihmuar arbitrat, ekipet dhe transmetuesit televizivë, duke ndryshuar mënyrën se si përjetohet loja brenda dhe jashtë fushës.
“Ne po sigurohemi që inovacioni të sjellë përfitime për çdo lojtar, çdo ekip dhe çdo tifoz në mbarë botën… dhe sigurisht për lojën më të madhe nga të gjitha, futbollin,” deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në janar në Las Vegas.
Sensorë brenda topit të FIFA-s
Teknologjia është integruar në pjesën më të rëndësishme të çdo ndeshjeje futbolli: topin.
Topi “Trionda” i FIFA-s, i prodhuar nga Adidas, është i pajisur me një çip sensor lëvizjeje 500-hercësh që u jep zyrtarëve informacion për çdo lëvizje të tij, duke regjistruar të dhëna 500 herë në sekondë, sipas FIFA-s.
Kjo teknologji ndihmon arbitrat të identifikojnë pikën e goditjes, momentin e saktë kur lojtari prek topin, duke mundësuar vendime më të shpejta dhe më të sakta për pozicionet jashtë loje.
Ajo do të ndihmojë gjithashtu në identifikimin e prekjeve me dorë apo penalltive, duke regjistruar çdo kontakt gjatë lojës, diçka që tradicionalisht ka qenë e vështirë për arbitrat të konstatohet vetëm përmes videos.
Më pak gabime arbitrimi?
FIFA do të krijojë gjithashtu avatarë dixhitalë për të gjithë 1,248 lojtarët e Kupës së Botës për të ndihmuar arbitrat “të marrin vendime më të shpejta” dhe për të ofruar një pamje më të qartë të incidenteve në fushë, tha Infantino.
Secili lojtar do t’i nënshtrohet një skanimi trupor njësekondësh para turneut, duke krijuar një model 3D “shumë të saktë” të tij dhe duke e bërë më të lehtë identifikimin gjatë lëvizjeve të shpejta ose kur pamja pengohet nga lojtarët e tjerë.
Modelet 3D do të plotësojnë teknologjinë ekzistuese gjysmë të automatizuar të pozicionit jashtë loje të FIFA-s, e cila përdor kamera brenda stadiumit për të gjurmuar pozicionin e topit dhe lojtarëve 50 herë në sekondë.
Kur topi i pasohet një sulmuesi potencialisht në pozicion jashtë loje, zyrtarët në dhomën e kontrollit marrin një alarm automatik dhe mund të verifikojnë pozicionin përpara se të njoftojnë arbitrin në fushë.
Modelet 3D do të përdoren gjithashtu në përsëritjet live gjatë transmetimeve zyrtare të ndeshjeve për tifozët në stadium dhe ata që ndjekin nga shtëpia.
Një tjetër përdorim i AI gjatë lojës është “Referee View”, një kamerë që, me ndihmën e inteligjencës artificiale, do të transmetojë imazhe të stabilizuara të ndeshjes për shikuesit në shtëpi dhe tifozët në stadium “sikur të ishin në qendër të fushës bashkë me lojtarët”, shtoi Infantino.
Asistent digjital për analizën e ndeshjeve
Një nga projektet më të mëdha të FIFA-s për Kupën e ardhshme të Botës është krijimi i “Football AI Pro”, një asistent me inteligjencë artificiale për të gjitha ekipet pjesëmarrëse.
Asistenti do të analizojë ndeshjet për të ofruar “informacione taktike, analiza performance” dhe rekomandime strategjike.
Mjeti synon të ndihmojë trajnerët dhe stafet teknike duke përkthyer të dhënat bruto të ndeshjeve në rekomandime konkrete për lojën.
Infantino shpjegoi se asistenti me AI do të “demokratizojë aksesin në të dhëna”, duke u ofruar analiza futbollistike të gjitha 48 ekipeve pjesëmarrëse dhe tifozëve.
Platforma mund të krijojë përmbledhje tekstuale, analiza video dhe paraqitje grafike të të dhënave të ndeshjes, duke ndihmuar ekipet të përgatiten për kundërshtarët dhe të analizojnë performancën e tyre./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

