Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka nisur zyrtarisht procesin kombëtar për digjitalizimin e hartave kadastrale, një reformë që synon kalimin përfundimtar nga planshetat fizike tek administrimi plotësisht elektronik i të dhënave të pronësisë në Shqipëri. Përmes Udhëzimit nr. 423, datë 8 maj 2026, ASHK ka përcaktuar procedurat dhe afatet për realizimin e këtij procesi, i cili do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe do të përfundojë më 7 dhjetor 2026.
Sipas udhëzimit, procesi synon unifikimin e procedurave në të gjitha drejtoritë vendore të ASHK-së, duke garantuar që hartat kadastrale të mos administrohen më në formë fizike, por vetëm në mënyrë digjitale. Reforma mbështetet edhe nga projekti “BE-ja për të drejtat e pronës, faza II”, me fokus modernizimin e administrimit të pronës dhe rritjen e sigurisë juridike mbi pasuritë.
Në praktikë, gjatë periudhës së digjitalizimit, drejtoritë vendore të ASHK-së do të pezullojnë të gjitha shërbimet që kërkojnë ndërhyrje në hartat fizike. Po ashtu, nuk do të lejohen më korrigjime apo përditësime manuale në plansheta, deri në përfundimin e procesit teknik të kalimit në format elektronik.
Çdo drejtori vendore do të caktojë persona përgjegjës për monitorimin e procesit, koordinimin me kompaninë kontraktore dhe kontrollin e cilësisë së produktit final. Ndërkohë, hartat fizike do t’i vihen në dispozicion kontraktorit sipas planit të punës dhe në fund të procesit ato do të arkivohen, duke u ndaluar përdorimi i tyre në procedurat e përditshme të punës.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të përcaktuara në udhëzim është fakti se harta kadastrale digjitale do të konsiderohet dokumenti i vetëm zyrtar teknik për pasqyrimin e pozicionit, përmasave dhe konfigurimit të pasurive. Kjo do të thotë se të gjitha shërbimet e ardhshme të ASHK-së do të bazohen ekskluzivisht në të dhënat digjitale dhe qytetarëve apo institucioneve do t’u lëshohet vetëm harta elektronike.
Procesi pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën e ofrimit të shërbimeve kadastrale, duke synuar reduktimin e problematikave që lidhen me mbivendosjet, pasaktësitë apo dëmtimet e dokumentacionit fizik. Digjitalizimi shihet gjithashtu si një hap kyç drejt rritjes së transparencës dhe automatizimit të procedurave të pronësisë, në një sektor që historikisht ka qenë ndër më problematikët në administratën shqiptare.
Udhëzimi ka hyrë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tij i është ngarkuar të gjitha drejtorive vendore të ASHK-së./ekofin.al

