Bizneset kanë kërkuar më tepër kredi në tremujorin e dytë të këtij viti. Nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë rezulton një rritje e kërkesës për kredi veçanërisht nga bizneset e mëdha dhe kryesisht në huatë për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.
Gjithashtu, besimi i biznesit, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe perceptimi mbi situatën makroekonomike në vend, mbështetën zgjerimin e kërkesës për hua.
Rritjes së kërkesës për kredi i është përgjigjur një shkallë më e lartë e miratimit të tyre. Shkalla më e ulët e refuzimeve për hua të bizneseve në periudhën prill-qershor u mbështet nga perceptimi më i ulët i rrezikut mbi sektorin ku operojnë bizneset.
Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditet. Edhe në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë, si nga bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha. Ndërkohë që standardet e kreditimit parashikohet të mbeten të pandryshuara.
