Të gjitha pronat në Shqipëri duhet të rivlerësohen. Ky ishte qëndrimi i deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, teksa u prezantua projektligji për rivlerësimin e pronave. Deputetët propozuan që tatimi të jetë më i ulët se 5% dhe se afati të jetë deri në dhjetor të vitit 2025.
Si rrallë herë mazhoranca dhe opozita janë dakord që në vend të zhvillohet një tjetër fushatë rivlerësimi e pasurive të paluajtshme. Në komisionin e Ekonomisë Blerina Gjylameti prezantoi projektligjin për rivlerësimin e pronave, ku tha se afati do të jetë deri në shtator të 2025-ës.
Propozoj që rivlerësimi i pronave të bëhet nga shtatori i vitit 2024-shtator 2025, por te kemi parasysh që ky është rivlerësimi i fundit që do të bëhet, që vjen si rezultat i referencave të reja të pronave, dhe referencave që do të bëhen efektive në shtator në të gjitha bashkitë”, u shpreh Gjylameti.
Deputetët e opozitës por edhe mazhorancës propozuan që afati të jetë deri në dhjetor të 2025-ës, dhe mos të aplikohet tatimi 5% që ka deklaruar Rama, e që pritet të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave.
Nëse ky projektligj do të miratohet, do të jetë i pesti proces në 13 vite. Rivlerësimi i fundit i pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin dhe u rivlerësuan 168.200 pasuri. Buxheti i shtetit përfitoi 12.7 miliardë lekë.
