Dielli i fortë në kokë dhe në zonën e qafës mund të shkaktojë insolacion ose heliosis. Lëkura dhe indet e trurit ngacmohen nga nxehtësia e madhe dhe mund të shkaktojnë të ashtuquajturin meningjit aseptik, një infeksion truri që nuk shkaktohet nga ndonjë bakterie. Kjo goditje nga dielli është goditje e izoluar në kokë nga i nxehti.
Shenjat dhe simptomat: dhimbjet e kokës janë shenjat e para të insolacionit. Personit që goditet nga dielli i djeg koka, skuqet në fytyrë, ka dhimbje qafe, që mund të shoqërohen me lodhje, trazira dhe të vjella. Shpesh ka marrje mendsh. Ajo që bie në sy është se temperatura e trupit të një pacienti që ka insolacion nga dielli nuk është e lartë, por e ulët.
Fillimisht personat që janë goditur nga insolacioni duhet të futen në një ambient të freskët dhe të vendosen shtrirë në kurriz, në mënyrë që ta marrin veten sa më shpejt. Kur vendosen shtrirë, koka dhe pjesa e sipërme e trupit duhet të ndodhen më lartë se pjesa poshtme e trupit. Peshqirë të lagur me ujë të ftohtë mund të ndihmojnë për të freksuar pjesë të trupit, për shembull qafën.
Përveç kësaj pacientët duhet të pinë shumë lëngje nëse janë me vetëdije të plotë, në mënyrë që të sjellin në nivel normal furnizimin e trupit me ujë. Sipas ekspertëve nga djersitja e madhe mund të shkaktohen humbje të mëdha të lëngjeve të trupit, humbje që gjatë ditëve të nxehta mund të arrijnë në deri në dy litra në ditë. Edhe nëse simptomat fillojnë të largohen, personi duhet të qëndrojë në shtrat që të qetësohet.
