Edhe pse fundi i qershorit ishte lënë si afat ligjor për zbatimin e Open Banking, Bankingut të Hapur, në fakt implementimi i tij nuk ka nisur ende. Sipas përfaqësuesve të bizneseve që operojnë në sektorin financiar, shkak është bërë mospajisje ende me certifikatat përkatëse të sigurisë nga AKSHI.
Për të shtyrë përpara procesin, përfaqësuesit e institucioneve Fintech, zhvilluan një takim me Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Protokollet e bankingut të hapur rrisin transparencën financiare, duke i lejuar konsumatorët të menaxhojnë llogaritë e tyre nga banka të ndryshme në një vend të vetëm.
Në thelb, bankingu i hapur krijon më tepër akses edhe për institucionet financiare të parasë elektronike, duke u ndërthurrur në sistemet e ngritura të pagesave të bankave tregtare. Për këtë arsye, nevojitet që institucionet e parasë elektronike t’i nënshtrohet procedurave testuese dhe të pajisen me certifikatat përkatëse të sigurisë.
“Ato nxisin konkurrencën dhe inovacionin në sektorin financiar, duke ofruar mënyra të ndryshme pagesash dixhitale, norma më të mira dhe shërbime të personalizuara për përdoruesit. Pas angazhimit dhe përpjekjeve tona të vazhdueshme për të përmirësuar dhe modernizuar sektorin e shërbimeve financiare në Shqipëri, tashmë jemi në përfundimin e testeve për zbatimin protokolleve për bankingun e hapur”, tha Ibrahimaj.
Ofrimi i më shumë zgjidhjeve dhe alternativave në pagesat dhe shërbimet financiare do të mundësonte uljen e kostos së transaksioneve bankare synon të luftojë gjithashtu informalitetin dhe qarkullimin e parasë cash. Ekofin.al
