Shuma e ndihmës shtetërore të dhënë në Shqipëri për bizneset përgjatë vitit 2023 ishte 8.5 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor të ndihmës shtetërore, kjo ndihmë është dhënë kryesisht për kërkim dhe zhvillim, por edhe për ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitete të lidhura me turizmin.
Që prej vitit 2019, ndihma shtetërore kushtuar ndërmarrjeve është rritur ndjeshëm, ku në një hark kohor prej 5 vitesh vërehet se ndihma totale kap vlerën 63 miliardë lekë.
Në vitin 2023 ndihma shtetërore horizontale në vlerë absolute është 5.2 miliardë, ndërsa ndihma shtetërore sektoriale ishte 3.2 miliard lekë. Rreth 73.55% e shumës së ndihmës horizontale i kushtohej kërkimit dhe zhvillimit, ndërsa në strukturën e ndihmës sektoriale për vitin 2023, peshën kryesore e zë ndihma për strukturat akomoduese me 75.69%.
Në ndihmën horizontale përfshihen ndihma për kërkim-zhvillim dhe inovacion, për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, punësim, kulturë dhe sport. Ndërkohë që përveç turizmit, ndihma shtetërore sektoriale përfshiu edhe mbështetje për infrastrukturën broadband, transportin dhe shërbimin publik.
Në totalin e ndihmës së dhënë për vitin 2023, vendin kryesor e zënë ndihmat horizontale, rreth 61.58%, ndërsa ndihma sektoriale përbën 38.42% të ndihmës gjithsej.
