Infrastruktura e Çelësave Publikë, e menaxhuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pritet të përmirësohet. E përfolur fillimisht për të kaluar me koncesion, madje edhe e parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2022, me një fond prej 208.2 milionë lekësh, infrastruktura e njohur si PKI, tashmë do të përmirësohet përmes një tenderi me vlerë rreth 500 milionë lekë, të hapur nga AKSHI.
Qëllimi i këtij projekti është përmirësimi i performancës duke dhënë siguri në sasinë e rritur të trafikut dhe të dhënave të procesuara, përmirësim të sigurisë për të garantuar siguri më të rrepta përsa i përket mbrojtjes së infrastrukturës nga kërcënimet e jashtëme dhe të brendshme, sigurimin që të dhënat dhe certifikatat të mund të përdoren si më parë gjithashtu monitorim dhe menaxhim të performancës për të identifikuar dhe trajtuar problemet ose bllokimet e mundshme në kohë reale.
Përmirësimi i infrastrukturës do të nis që nga siguria e sistemeve, pasi sistemet që do të ngrihen duhet të jenë të sigurisë së lartë pasi do mbajnë të dhëna sensitive dhe të një rëndësie të madhe ndaj duhet të implementohen teknika më të avancuara të sigurisë së sistemeve kompjuterike.
Infrastruktura e çelësave publikë është e lidhur direkt me vulat elektronike ku sipas të dhënave në portalin e-albania ofrohen 89 dokumente me vulë elektronike, një pjesë prej së cilave ofrohen vetëm elektronikisht, duke eliminuar tërësisht printimin e tyre në letër në sportelet fizike të institucioneve. Ekofin.al
