Tenderat e mirëmbajtjes së rrugëve janë ato që kërkojnë shuma të konsiderueshme parash, por edhe shumë procedura. ARRSH ka hapur së fundmi 4 tendera për kontrata punimesh dhe mirëmbajtje, me një vlerë të fondit limit prej rreth 7.3 miliardë Lekësh.
Procedurat përfshijnë 4 rajonet e vendit, në bazë të të cilave bëhet menaxhimi i rrjetit rrugor dhe janë të ndara në lote, sipas akseve rrugore që do të përfshijë kontrata që do të lidhet me operatorin ekonomik fitues. Po ashtu, në dokumentet e tenderit specifikohet se kohëzgjatja e kontratës do të jetë 4 vjet.
Vlera më e lartë parashikohet për Rajonin Verior Shkodër, me një fond limit prej rreth 3 mld lekë, teksa tenderi ndahet në 15 lote të ndryshme. Më pas vjen Rajoni Qendër Perëndim Tiranë, me 10 lote, me një vlerë totoale rreth 1.6 mld lekë dhe kontrata e tretë e mirëmbajtjes përfshin rajonin Jugor Gjirokastër me fond limit prej rreth 1.5 mld lekë për 11 akse të ndryshme që synohet të mirëmbahen, ndërsa i fundit është Rajoni Qendër Lindje Korçë, me rreth 1.2 mld lekë.
