Në Gjykatën Kushtetuese ka vijuar sot seanca me paraqitjen e konkluzioneve nga palët për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” që nisi zbatimin nga 1 janari 2024 me profesionet e lira.
Në seancën mëparshme palëve iu la afat deri më 21 Qershor për depozitimin e provave shtesë. Në nisje të seancës së sotme Kryetarja e Gjykatës vendosi administrimin e provave të depozituara dhe vijoi me dëgjimin e konkluzioneve që u paraqitën nga palët.
Pas përfundimit të paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj deklaroi përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, ndërsa tha se data dhe ora e shpalljes së vendimit do të komunikohet sipas parashikimeve ligjore.
Avokatët pohojnë se sipas parashikimeve ligjore afati për dhënien e vendimit mundëson deri në 30 ditë kohë referuar ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipëri” Nr.8577, datë 10.2.2000 (ndryshuar me ligjin nr.99/2016).
Në pikën 3 të neni 47 citohet: “Vendimi përfundimtar shpallet i arsyetuar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj”.
Po ashtu në seancën e mëparshme të 18 qershorit, me shumicë votash Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën për pezullim, me argumentin se çështja do të trajtohet me përparësi. Pra ligji do të vijojë të zbatohet deri në shpalljen e vendimit të gjykatës.
“Gjykata vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pezullim, duke marrë në konsideratë që procesi është duke u gjykuar me përparësi”, argumentoi në seancën e kaluar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.
