Kompania që qëndron pas ChatGPT, OpenAI, ka shpallur një vend vakant me pagë vjetore prej 555 mijë dollarësh, i shoqëruar me një përshkrim detyre që, sipas vëzhguesve do ta vinte në vështirësi edhe një “gjeni”.
Pozicioni, i quajtur “drejtor i përgatitjes” (head of preparedness), konsiderohet jashtëzakonisht sfidues, pasi personi i përzgjedhur do të jetë drejtpërdrejt përgjegjës për mbrojtjen nga rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale gjithnjë e më të fuqishme, përfshirë ndikimet në shëndetin mendor të njerëzve, sigurinë kibernetike dhe rrezikun e përdorimit për armë biologjike.
Sfidat shtohen edhe nga frika e disa ekspertëve se sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale mund të arrijnë të trajnohen vetë dhe potencialisht të veprojnë në mënyra që bien ndesh me interesat njerëzore.
“Kjo do të jetë një punë stresuese dhe kandidati do të hidhet menjëherë në thellësi”, tha Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, me seli në San Francisko, duke e cilësuar rolin si “kritik” për të “ndihmuar botën”.
Personi që do të marrë këtë detyrë do të merret me vlerësimin dhe zbutjen e kërcënimeve në zhvillim, si dhe me “monitorimin dhe përgatitjen për kapacitete të avancuara që krijojnë rreziqe të reja të dëmeve serioze”. Sipas raportimeve, disa nga drejtuesit e mëparshëm në role të ngjashme kanë qëndruar vetëm për periudha të shkurtra.
Shpallja vjen në një kohë kur brenda vetë industrisë së inteligjencës artificiale po shtohen paralajmërimet për rreziqet e teknologjisë.
Përveç pagës, pozicioni përfshin edhe një pjesë të papërcaktuar aksionesh në OpenAI, kompani që vlerësohet rreth 500 miliardë dollarë.

