Eurostat ka vlerësuar me një shkallë të lartë përputhshmërie me standardet evropiane statistikat shqiptare për bilancin e pagesave, pozicionin e investimeve ndërkombëtare dhe investimet e huaja direkte.
Vlerësimi u bë i ditur nga drejtoresha e Përgjithshme e Eurostat-it, Mariana Kotzeva, gjatë një takimi të zhvilluar më 25 nëntor me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Në takim morën pjesë edhe drejtoresha e INSTAT-it, Lantona Sado, zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, si dhe përfaqësues të dy institucioneve.
Në fokus të diskutimeve ishte progresi i Shqipërisë në harmonizimin e statistikave zyrtare me kërkesat e Bashkimit Evropian, koordinimi ndërinstitucional dhe përgatitjet për integrimin e vendit në Sistemin Statistikor Evropian.
Guvernatori Sejko vlerësoi asistencën e Eurostat-it në modernizimin e metodologjive statistikore të bankës qendrore, duke nënvizuar rolin e Bankës së Shqipërisë në prodhimin e të dhënave monetare, financiare dhe të sektorit të jashtëm.
Një tjetër prioritet për bankën qendrore mbetet përmbushja e kërkesave statistikore të Bankës Qendrore Evropiane, në funksion të përgatitjeve për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.
Progresi i Shqipërisë në këtë drejtim është evidentuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kapitullin 18 të negociatave të anëtarësimit, që mbulon statistikat.
Komisioni Evropian ka vlerësuar përmirësimin e koordinimit institucional, pas memorandumit të ri të mirëkuptimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it, si dhe marrëveshjes trepalëshe me Ministrinë e Financave.
Përafrimi me standardet statistikore evropiane ka rëndësi jo vetëm për procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për rritjen e besueshmërisë dhe krahasueshmërisë së treguesve ekonomikë të Shqipërisë, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme informacioni për investitorët, bizneset dhe politikëbërësit.
Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar harmonizimin e statistikave me standardet e Bashkimit Evropian./ekofin.al
