Shqipëria pritet të vendosë objektiva të matshëm për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve bashkiake, duke synuar që deri në vitin 2030 të paktën 23% e tyre të përgatiten për ripërdorim ose të riciklohen, ndërsa deri në vitin 2045 kjo përqindje të arrijë në 65%.
Ministria e Mjedisit ka hartuar një projektvendim që përcakton metodologjinë e llogaritjes dhe verifikimit të përmbushjes së objektivave kombëtarë, afatet për arritjen e tyre, si dhe rregullat që duhet të ndiqen nga institucionet publike, bashkitë dhe operatorët privatë për menaxhimin e mbetjeve.
Nisma vjen në zbatim të ligjit nr. 57/2025 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.
Objektivat kombëtarë të riciklimit
Projektvendimi përcakton vitin 2026 si vit bazë për llogaritjen e përmbushjes së objektivave. Të dhënat për këtë vit do të rillogariten sipas metodologjisë së re, në varësi të cilësisë dhe disponueshmërisë së tyre.
Objektivat kombëtarë për përgatitjen për ripërdorim dhe riciklimin e mbetjeve bashkiake janë: Deri në vitin 2030, të paktën 23%; Deri në vitin 2036, të paktën 50%; Deri në vitin 2037, të paktën 55%; Deri në vitin 2040, të paktën 60%; Deri në vitin 2045, të paktën 65%.
Përqindjet llogariten mbi peshën e mbetjeve bashkiake. Kontributi i secilës bashki në përmbushjen e objektivave kombëtarë do të përcaktohet në Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve dhe Planin e Veprimit, duke marrë në konsideratë kapacitetet teknologjike dhe financiare, sasitë e mbetjeve të krijuara dhe investimet e planifikuara.
Kjo do të thotë se jo të gjitha bashkitë do të kenë detyrimin të përmbushin të njëjtat përqindje riciklimi.
Riciklimi përpara incinerimit dhe depozitimit në landfill
Një nga elementet kryesore të projektvendimit është përcaktimi i rregullave konkrete për zbatimin e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, e cila do të merret në konsideratë edhe gjatë planifikimit dhe miratimit të investimeve publike apo private në këtë sektor.
Sipas hierarkisë, përparësi do të ketë parandalimi i krijimit të mbetjeve, i ndjekur nga përgatitja për ripërdorim, riciklimi, format e tjera të rikuperimit, përfshirë prodhimin e energjisë, dhe në fund asgjësimi.
Rikuperimi i energjisë nga mbetjet do të zbatohet vetëm pasi të jetë dokumentuar se përgatitja për ripërdorim dhe riciklimi nuk sigurojnë rezultatin më të mirë të përgjithshëm për mjedisin.
Gjithashtu, mbetjet e grumbulluara në mënyrë të diferencuar për ripërdorim ose riciklim nuk do të mund të dërgohen për asgjësim, me përjashtim të tepricave që rezultojnë nga proceset e mëtejshme të trajtimit dhe në rastet e lejuara nga ligji.
Kufizime për investimet në kapacitetet e asgjësimit
Projektvendimi parashikon që autoritetet publike të planifikojnë kapacitetet e asgjësimit vetëm për sasitë e parashikuara të mbetjeve që mbeten pas trajtimit, duke shmangur krijimin e kapaciteteve të tepërta që mund të cenojnë zhvillimin e riciklimit dhe ripërdorimit.
Në planet zonale dhe vendore do të duhet të përcaktohen objektiva vjetorë për reduktimin e sasive të mbetjeve që asgjësohen, si dhe masat për arritjen e tyre.
Autoritetet duhet të garantojnë gjithashtu transparencën e tarifave të pranimit të mbetjeve për asgjësim, duke marrë në konsideratë kostot e plota të investimit, operimit, mbylljes së impianteve, kujdesit pas mbylljes dhe ndikimeve mjedisore.
Çdo tre vjet do të auditohen dhe publikohen sasitë e mbetjeve të pranuara për asgjësim, si dhe ato për të cilat janë përdorur alternativa të tjera të menaxhimit.
Djegia e mbetjeve nuk do të llogaritet si riciklim
Metodologjia e re përcakton se mbetjet do të konsiderohen të ricikluara vetëm kur hyjnë faktikisht në procesin e riciklimit dhe jo thjesht kur grumbullohen, magazinohen apo dërgohen në impiante trajtimi.
Materialet e përdorura si lëndë djegëse, për prodhimin e energjisë, për incinerim, rimbushje apo depozitim në landfill nuk do të llogariten për përmbushjen e objektivave të riciklimit.
Përjashtim bëjnë metalet e ndara nga hiri fundor i incinerimit, të cilat do të konsiderohen të ricikluara vetëm nëse i nënshtrohen më pas një procesi faktik riciklimi.
Edhe mbetjet që eksportohen jashtë Shqipërisë për riciklim apo ripërdorim do të mund të llogariten për përmbushjen e objektivave kombëtarë, me kusht që të dokumentohet trajtimi i tyre në përputhje me legjislacionin.
Autorizim i posaçëm për përjashtimet nga hierarkia
Operatorët që kërkojnë të përdorin një alternativë që renditet më poshtë në hierarkinë e menaxhimit të mbetjeve do të duhet, në rastet e parashikuara nga projektvendimi, të marrin miratimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM).
Përjashtimi do të lejohet vetëm kur analiza e ciklit të jetës së mbetjeve provon se alternativa e propozuar siguron rezultatin më të mirë të përgjithshëm për mjedisin.
Kostoja më e ulët afatshkurtër e asgjësimit, mungesa e përkohshme e infrastrukturës apo mungesa e një tregu vendas për materialet e ricikluara nuk do të përbëjnë argumente të mjaftueshme për justifikimin e përjashtimit.
Në vlerësimin e alternativave do të merren në konsideratë ndikimet mjedisore dhe shëndetësore, kapacitetet teknologjike, kostot e plota të trajtimit, të ardhurat nga materialet apo energjia, si dhe ndikimet ekonomike dhe sociale, përfshirë punësimin dhe përballueshmërinë financiare. /ekofin.al
