Tirana mirëpret Konferencën e Dytë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, “New Frontier Investment Conference”, me mbi 600 investitorë, sipërmarrës dhe përfaqësues institucionesh e vendimmarrësish evropianë. Në fokus është mobilizimi i kapitalit dhe identifikimi i projekteve konkrete për zhvillimin ekonomik të rajonit.
Në fjalën hapëse, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi potencialin e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e transformimit industrial të Evropës, duke nënvizuar nevojën për të kaluar nga dialogu te investimet konkrete.
“Synimi ynë është të kalojmë nga dialogu te vendimmarrja për investime, nga konvergjenca ekonomike te mobilizimi konkret i kapitalit”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se ekonomia shqiptare u rrit me rreth 3.6% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas saj, objektivi është tërheqja e investimeve me vlerë të shtuar, që kontribuojnë në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese, transferimin e teknologjisë, rritjen e produktivitetit dhe krijimin e vendeve të punës me aftësi të specializuara.
“Ne duam që investimet e huaja të lënë një gjurmë afatgjatë në ekonomi, përmes transferimit të teknologjisë, zhvillimit të furnitorëve vendas, rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës që kërkojnë aftësi të specializuara”, theksoi Ibrahimaj.
Propozimi për projekte industriale me interes të përbashkët evropian
Një nga propozimet kryesore të prezantuara në konferencë ishte shqyrtimi i mundësisë për zhvillimin e një Projekti të Rëndësishëm me Interes të Përbashkët Evropian (IPCEI), me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nisma synon të krijojë sinergji mes burimeve natyrore, energjisë së pastër, kapaciteteve kërkimore dhe prodhuese të rajonit, duke i lidhur me nevojat strategjike të industrisë evropiane. Një fushë me potencial të veçantë është ajo e lëndëve të para kritike dhe përpunimi i tyre i qëndrueshëm.
“Ambicia jonë është të kapërcejmë rolin tradicional të furnizuesit me lëndë të para dhe të zhvillojmë aktivitete industriale me vlerë të shtuar më të lartë, duke përfshirë përpunimin, prodhimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe riciklimin”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj propozoi një vlerësim të përbashkët teknik me Komisionin Evropian, shtetet anëtare të interesuara, kompanitë evropiane dhe partnerët rajonalë, për të identifikuar projekte konkrete investimi ndërkufitare me qëndrueshmëri tregtare.
Alternativa të reja financimi për bizneset
Në fokus ishte edhe diversifikimi i burimeve të financimit përtej kreditimit tradicional bankar, përmes kapitalit sipërmarrës, kapitalit privat dhe instrumenteve alternative që mbështesin kompanitë inovative dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.
Ministrja vlerësoi rëndësinë e mekanizmave evropianë për mbështetjen e startup-eve në teknologjitë e avancuara, ndarjen e riskut dhe financimin e infrastrukturës digjitale e energjetike.
Shërbimet me vlerë të shtuar dhe aftësitë digjitale
Zhvillimi i shërbimeve me vlerë të shtuar, si inxhinieria, zhvillimi i programeve kompjuterike, shërbimet shëndetësore dhe logjistika, u evidentua si një tjetër mundësi për zgjerimin e eksporteve dhe përfshirjen e bizneseve shqiptare në zinxhirët evropianë të vlerës.
Në këtë drejtim, Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive profesionale dhe digjitale në përputhje me kërkesat e tregut të punës dhe nevojat e industrisë.
Integrimi rajonal, mundësi për investime më të mëdha
Ministrja u ndal te Plani i Rritjes i BE-së dhe Tregu i Përbashkët Rajonal, si instrumente për reduktimin e fragmentimit ekonomik, lehtësimin e aktivitetit ndërkufitar dhe krijimin e një tregu më të integruar.
“Të marra veçmas, ekonomitë tona janë relativisht të vogla. Por, si një rajon i ndërlidhur, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi krejt tjetër për investitorët”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja ftoi investitorët të njohin potencialin e kompanive shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të rajonit, duke riafirmuar angazhimin e Shqipërisë për të qenë një partnere e besueshme.
Konferenca dyditore synon të nxisë projekte të reja investimi, partneritete ekonomike dhe integrimin e rajonit në ekonominë evropiane. Programi përfshin prezantime të startup-eve, takime B2B, diskutime me investitorë dhe prezantimin e instrumenteve të reja të financimit nga institucionet evropiane dhe financiare ndërkombëtare. /ekofin.al
