Gjobat e vendosura nga 54 institucione do të komunikohen përmes një sistemi të unifikuar elektronik, duke u dhënë bizneseve dhe qytetarëve informacion mbi penalitetin, afatet e pagesës, të drejtën e ankimit dhe bazën ligjore.
Një sistem i ri elektronik për administrimin dhe komunikimin e gjobave synon të rrisë transparencën e institucioneve ndaj bizneseve dhe qytetarëve, duke reduktuar pasigurinë mbi penalitetet e vendosura dhe procedurat që duhet të ndiqen pas marrjes së tyre.
Sistemi “e-Gjoba”, i prezantuar këtë të hënë, më 24 nëntor, nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përfshin 54 institucione që kanë përgjegjësi ligjore për monitorimin dhe zbatimin e ligjit, si dhe për vendosjen e penaliteteve.
Sipas ministres, platforma përbën një tjetër hap në kuadër të reformës së inspektimeve, e cila synon të përmirësojë komunikimin me bizneset, të rrisë transparencën dhe të krijojë më shumë parashikueshmëri në marrëdhënien mes institucioneve dhe subjekteve të kontrolluara.
“Është e rëndësishme që, kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetin që merr, por edhe në kohë që ky penalitet është vendosur”, deklaroi Ibrahimaj.
Përmes sistemit të ri, bizneset dhe qytetarët do të marrin njoftime në kohë reale për gjobat e vendosura, përfshirë informacionin mbi procedurat e ankimit, afatet e pagesës dhe bazën ligjore që rregullon penalitetin.
Njoftimet do të dërgohen përmes telefonit dhe WhatsApp-it, duke synuar që informacioni të mbërrijë drejtpërdrejt te personi apo subjekti i penalizuar, pa qenë nevoja të kërkohet në mënyrë të pavarur në institucione të ndryshme.
Një nga problematikat që synon të adresojë sistemi është mungesa e informacionit në kohë për gjobat, e cila mund të sjellë pasoja financiare për bizneset, përfshirë kamatëvonesat, si dhe vështirësi në njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të tyre.
Ministrja theksoi se penalitetet nuk duhet të vendosen pa një proces paraprak njoftimi dhe këshillimi, ndërsa bizneset duhet të kenë mundësi të njihen me procedurat dhe mënyrën se si mund të kundërshtojnë një vendim.
“Është e rëndësishme që i gjithë informacioni të jetë i vendosur në një vend, që biznesi të jetë i informuar, që penaliteti, i cili në çdo rast nuk do të vijë pa pasur një lajmërim përpara, pa pasur një këshillim përpara, të vijë në kohën e duhur dhe biznesi të dijë se si mund të ankimohet”, u shpreh ajo.
Sistemi “e-Gjoba” synon gjithashtu të unifikojë mënyrën e komunikimit të penaliteteve nga institucionet, të cilat deri më tani kanë operuar në mënyrë të pavarur në këtë drejtim.
Sipas Ibrahimajt, ky mekanizëm pritet të ndikojë në rritjen e transparencës, konkurrencës dhe përmirësimin e klimës së biznesit, duke krijuar një marrëdhënie më të qartë mes administratës dhe subjekteve ekonomike.
Në realizimin e sistemit janë përfshirë Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe institucionet e tjera pjesëmarrëse në procesin e uniformizimit të administrimit dhe komunikimit të penaliteteve./ekofin.al
