Banka e Shqipërisë po punon për ndryshime rregullatore, që pritet të sjellin shtrëngime të konsiderueshme për kredidhënien e institucioneve të mikrofinancës. BSH është angazhuar edhe me konsulencën e Bankës Botërore në ndërmarrjen e ndryshimeve të tilla që synojnë forcimin e rregullave të huadhëniës.
Disa nga parimet ku pritet të mbështetet rregullorja e re do të jenë një analizë e shtuar financiare e huamarrësve, vendosja e një sistemi për pikëzimin e kredimarrësve, si edhe kufizimin e numrit të kredive për një huamarrës të vetëm.
Këto ndryshime po vijnë pas daljes në dritë të hetimeve ndaj disa institucioneve përmbarimore, për shkelje ligjore në procesin e mbledhjes së kredive me probleme. E ndodhur nën trysninë e opinionit publik, por edhe Kuvendit të Shqipërisë, duket se Banka e Shqipërisë është angazhuar të ndërmarrë shpejt ndryshimet rregullore që synojnë në thelb të kufizojnë aktivitetin e institucioneve të mikrofinancës.
Projektrezoluta e Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023”, ku përfshihen edhe rekomandimet kryesore për punën e institucionit gjatë vitit 2024 dhe në vazhdim, kërkon angazhim në hartimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore, nën asistencë e institucioneve ndërkombëtare, për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka.
Sipas projektrezolutës, Bankës së Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve si dhe të hartohet një dokument i politikës së licencimit për bankat dhe jo-bankat, ku të mbahen parasysh elemente të tillë si mbrojtja e konsumatorit, vendi i origjinës së pronarëve fundor, eksperienca në sistemet financiare europiane e subjekteve që aplikojnë për licencim.
