Nga të gjitha pasuritë e sekuestruara, vetëm 94 prej tyre janë për përdorim organeve ligjzbatuese dhe institucioneve shtetërore ndërsa të tjerat presin ne këto magazine për vite derisa gjykata të shprehet nëse do të konfiskohen e t’i kalojnë shtetit apo do ti kthehen pronarit. Por kjo gjë pritet të ndryshojë.
“Jemi në diskutim edhe me DPSHTRR për t’i mirëadministruar edhe automjetet duke na dhënë mundësinë për ti dhënë me qira apo në përdorim institucioneve shtetërore pasi ato po humbin vlerën çdo vit, besoj do gjendet hapësira ligjore dhe vullneti i institucioneve për ta përdorur një pasuri që po shkon drejt rrënimit”, tha Idriz Haxhiraj, drejtor i komanduar i AAPSK.
Në administrim të Agjencisë së administrimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara janë rreth 1400 pasuri me vlere mbi 150 mln euro.
Vetëm gjatë këtij viti nga janari deri në maj nga puna e prokurorive dhe gjykatave në vend sidomos SPAK-u janë sekuestruar 330 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si toka ullishte, apartamente, njësi tregtare, shoqëri biznesi, automjete ose llogari bankare.
