Çmimet e banesave në Bashkimin Evropian janë rritur me pothuajse 70% që nga viti 2015, ndërsa qiratë janë shtrenjtuar me 25%, duke tejkaluar ndjeshëm rritjen e të ardhurave, sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Rritja më e madhe e kostove është regjistruar në Portugali, e ndjekur nga Holanda.
Shtrenjtimi i banesave ka nxitur një valë protestash në të gjithë Evropën. Organizatat për të drejtat e strehimit dhe sindikatat nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Spanja, Italia, Portugalia dhe Greqia kanë bërë thirrje për tri ditë protestash të koordinuara, duke nisur nga e premtja, 20 nëntor.
Protestuesit kërkojnë që qeveritë të garantojnë të drejtën për strehim dhe të ulin kostot e banesave, ushqimeve dhe energjisë.
Qeveritë në të gjithë Evropën kanë prezantuar masa të ndryshme, nga kufizimi i çmimeve të qirave dhe rregullat më të rrepta për dhënien e banesave me qira afatshkurtër, deri te planet për ndërtimin e më shumë banesave me çmime të përballueshme. Këto ndërhyrje synojnë të lehtësojnë barrën për qiramarrësit dhe blerësit, të cilët po përballen me rritjen e çmimeve dhe mungesën e banesave.
Ja cilat janë masat që po ndërmerren në tetë vende evropiane për të përballuar këtë krizë.
Spanja
Dëbimi nga banesa i 87-vjeçares Maricarmen Abascal, e cila kishte jetuar aty gjatë gjithë jetës së saj, në shtator shkaktoi reagime të forta në mbarë vendin. Ngjarja nxiti Parlamentin të miratonte ligje të reja që kufizojnë dëbimet dhe spekulimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, ligjvënësit rrëzuan propozimin për rinovimin automatik të kontratave të qirasë, një nga kërkesat kryesore të protestuesve. Ndërkohë, Partia Popullore konservatore, e cila kryeson sondazhet, është zotuar t’i shfuqizojë këto masa nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 29 nëntorit.
Qeveria e majtë kishte miratuar që në vitin 2023 një ligj që parashikonte rritjen e numrit të banesave sociale dhe vendosjen e kontrolleve mbi qiratë në rajonet ku kriza e strehimit ishte më e theksuar.
Megjithatë, deri më tani këto masa janë zbatuar vetëm në mënyrë sporadike.
Barcelona, një nga qytetet më të vizituara në Evropë, është zotuar të rrisë numrin e apartamenteve të disponueshme në treg, duke mos rinovuar rreth 10 mijë lejet për dhënien e banesave me qira turistike përmes Airbnb dhe platformave të tjera.
Portugalia
Qeveria e qendrës së djathtë, e drejtuar nga kryeministri Luís Montenegro, është përqendruar te masat fiskale për të nxitur pronarët që t’i nxjerrin shtëpitë dhe apartamentet e tyre në tregun e qirave.
Ajo ka rritur gjithashtu taksat për blerjen e pronave nga jorezidentët.
Megjithatë, në shtator, ligjvënësit miratuan një reformë të tregut të qirave, e cila e bën më të lehtë dhe më të shpejtë dëbimin e qiramarrësve që nuk paguajnë qiranë. Ky vendim shkaktoi një valë protestash.
Holanda
Qeveria e një prej vendeve me dendësinë më të lartë të popullsisë në Evropë vendosi kufizime për çmimet e qirave në një pjesë të madhe të banesave në pronësi private.
Por shumë pronarë preferuan t’i shisnin pronat e tyre në vend që t’i jepnin me qira, duke ulur numrin e banesave të disponueshme për qiramarrje. Ndërkohë, qiratë për pronat që nuk përfshiheshin në kufizime vijuan të rriteshin.
Në fillim të këtij viti, qeveria njoftoi masa të reja për të përshpejtuar ndërtimin e banesave, duke garantuar që dy të tretat e banesave të reja të mbahen në nivele të përballueshme për blerësit dhe qiramarrësit.
Franca
Që nga viti 2023, qeveria e qendrës së ka premtuar një “shok të ofertës”, përmes masave që synojnë të nxisin ndërtimin e banesave të reja dhe të rrisin numrin e pronave të nxjerra në tregun e qirave, përfshirë lehtësimin e rregullave mjedisore.
Një projektligj që po diskutohet aktualisht në Parlament parashikon lehtësimin e rregullave që detyrojnë pronarët të përmirësojnë banesat me izolim të dobët përpara se t’i japin me qira.
E djathta ekstreme kërkon heqjen e plotë të këtyre detyrimeve.
Projektligji synon gjithashtu thjeshtimin e procedurave për ndërtimin e banesave dhe parashikon lehtësi më të mëdha tatimore për pronarët privatë që japin prona me qira.
Gjermania
Mungesa e banesave me qira me çmime të përballueshme në Gjermani ka rikthyer në vëmendje kooperativat e strehimit, shoqata në pronësi të anëtarëve të tyre, të cilat ofrojnë një alternativë si ndaj qiramarrjes, ashtu edhe ndaj blerjes së pronës.
Banorët blejnë aksione në kooperativë, e cila zotëron dhe administron banesat, ndërsa paguajnë tarifa për apartamentet ku jetojnë. Ky model ndihmon në mbajtjen e kostove të ulëta dhe mbron qiramarrësit nga spekulimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Aktualisht, kooperativat administrojnë rreth 10% të banesave që jepen me qira në Gjermani.
Që nga viti 2010, në zonat ku tregu i banesave është më i tensionuar, qiratë për kontratat e reja janë kufizuar. Kjo ka ndihmuar në frenimin e çmimeve, por njëkohësisht ka sjellë rënie të ndërtimit të banesave të reja.
Partia e majtë Die Linke e ktheu krizën e strehimit në Berlin në një nga temat kryesore të fushatës gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, duke premtuar shpronësimin e dhjetëra mijëra apartamenteve në pronësi të kompanive të mëdha të pasurive të paluajtshme. Një nismë që qeveria federale po përpiqet ta pengojë.
Mbretëria e Bashkuar
Qeveria laburiste synon të rrisë ofertën përmes krijimit të 300 mijë banesave sociale, duke ofruar njëkohësisht mbështetje financiare për personat që blejnë shtëpi për herë të parë.
Ajo ka ndaluar gjithashtu dëbimet pa shkak nga banesat dhe ka kufizuar rritjen e qirave në vetëm një herë në vit.
Megjithatë, normat e larta të interesit, së bashku me barrën tatimore dhe rregullatore, vijojnë të kufizojnë ndërtimin e banesave të reja, të nevojshme për të zbutur mungesën kronike të tyre.
Italia
Protestat kanë nxitur qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni të ulë taksat mbi të ardhurat nga qiratë, një masë që synon të inkurajojë më shumë pronarë të nxjerrin shtëpitë dhe apartamentet e tyre në treg.
Qeveria planifikon të vërë në dispozicion rreth 100 mijë banesa të tjera gjatë 10 viteve të ardhshme, përmes rikonstruksionit të banesave sociale ekzistuese ose ndërtimit të të rejave, duke thjeshtuar njëkohësisht procedurat administrative dhe rregullatore.
Greqia
Autoritetet janë përqendruar në kufizimin e rritjes së qirave afatshkurtra në një prej destinacioneve turistike më të rëndësishme të Evropës, veçanërisht në Athinë dhe Selanik.
Qeveria ka kufizuar gjithashtu programin e saj të ashtuquajtur “viza e artë” për të huajt që blejnë prona në vend. Kritikët argumentojnë se ky program ka larguar shumë banesa nga tregu, duke ua bërë më të vështirë qytetarëve grekë gjetjen e një shtëpie.
Subvencionet u mundësojnë blerësve për herë të parë të marrin kredi hipotekore me norma më të ulëta interesi. Gjithashtu, ofrohen fonde publike për pronarët që angazhohen t’i japin banesat me qira afatgjatë pasi t’i rikonstruktojnë ato. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
