Bizneset që zbulojnë se një produkt ushqimor i hedhur në treg mund të jetë i pasigurt duhet të nisin menjëherë procedurat e tërheqjes dhe të njoftojnë autoritetet përgjegjëse. Në rastet kur produkti ka arritur te konsumatorët, ata duhet të informohen për rrezikun dhe, kur masat e tjera nuk janë të mjaftueshme, të organizohet edhe rikthimi i ushqimeve të blera.
Këto janë disa nga detyrimet që përcakton projektligji i ri “Për ushqimin”, aktualisht në konsultim publik, i cili synon të rregullojë përgjegjësitë e prodhuesve, importuesve dhe tregtarëve në rastet e identifikimit të produkteve që mund të dëmtojnë shëndetin.
Detyrimi për tërheqjen e ushqimeve të pasigurta dhe njoftimin e konsumatorëve ekziston edhe në ligjin aktual. Megjithatë, projektligji e vendos këtë procedurë në një kuadër të riorganizuar të gjurmueshmërisë dhe komunikimit të rrezikut, duke parashikuar një rrjet kombëtar të njoftimit të shpejtë, të lidhur me sistemin evropian sipas marrëveshjeve përkatëse.
Bizneset duhet të dinë nga vjen produkti dhe ku është shpërndarë
Sipas nenit 23, gjurmueshmëria duhet të garantohet në të gjitha fazat, nga prodhimi dhe përpunimi deri te shpërndarja e ushqimit.
Çdo operator duhet të jetë në gjendje të identifikojë personat ose subjektet nga të cilat është furnizuar me produkte ushqimore, lëndë të para apo substanca të përdorura në prodhim. Njëkohësisht, ai duhet të disponojë informacion për bizneset e tjera të cilave u ka furnizuar produktet.
Të dhënat duhet të vihen në dispozicion të autoriteteve kompetente kur kërkohen prej tyre.
Kjo procedurë ka rëndësi veçanërisht kur një produkt rezulton i kontaminuar ose i dëmshëm. Identifikimi i furnitorëve dhe i rrugës së shpërndarjes mundëson përcaktimin e subjekteve që kanë marrë produktin dhe ndërhyrjen për largimin e tij nga tregu.
Projektligji përcakton gjithashtu se kur një ushqim i pasigurt është pjesë e një serie ose ngarkese të së njëjtës kategori, i gjithë loti konsiderohet i pasigurt, përveç rasteve kur një vlerësim i hollësishëm tregon se pjesa tjetër nuk është e prekur.
Konsumatorët duhet të njoftohen për arsyet e tërheqjes
Neni 24 i projektligjit përcakton se një operator që ka arsye të besojë se ushqimi i importuar, prodhuar, përpunuar ose shpërndarë prej tij nuk plotëson kërkesat e sigurisë, duhet të fillojë menjëherë procedurat e tërheqjes nëse produkti ka dalë nga kontrolli i drejtpërdrejtë i operatorit fillestar.
Kur ushqimi mund të ketë arritur te konsumatori, operatori duhet ta informojë atë në mënyrë efektive dhe të saktë për arsyet e tërheqjes.
Në rastet kur njoftimi dhe masat e tjera nuk mjaftojnë për mbrojtjen e shëndetit, kërkohet edhe rikthimi i produkteve që janë blerë.
Përgjegjësi kanë edhe subjektet e shitjes me pakicë dhe shpërndarjes. Edhe kur nuk ndikojnë drejtpërdrejt në ambalazhimin ose përbërjen e ushqimit, ato duhet të bashkëpunojnë për tërheqjen e produkteve dhe identifikimin e zinxhirit të furnizimit.
Sistem kombëtar alarmi dhe informacion publik për produktet e rrezikshme
Një tjetër pjesë e projektligjit lidhet me sistemin kombëtar të njoftimit të shpejtë për rreziqet serioze që burojnë nga ushqimi.
Në këtë rrjet parashikohet të përfshihen autoritetet kompetente, ministria përgjegjëse për ushqimin, Ministria e Shëndetësisë, institucioni përgjegjës për shëndetin publik dhe administrata doganore.
Institucionet duhet t’i transmetojnë menjëherë pikës kombëtare të kontaktit informacionin për rreziqet serioze, si edhe masat që janë marrë ose pritet të ndërmerren.
Kur identifikohet një rrezik serioz nga ushqimet e prodhuara ose të importuara në Shqipëri, projektligji parashikon njoftimin e menjëhershëm të Komisionit Evropian përmes sistemit evropian, sipas marrëveshjeve dhe procedurave të zbatueshme.
Për konsumatorët, një nga dispozitat më të rëndësishme është ajo që përcakton aksesin e publikut në informacionin për identifikimin e produktit, natyrën e rrezikut dhe masat e marra.
Projektligji ruan mbrojtjen e informacionit që përbën sekret profesional, por parashikon se kjo mbrojtje nuk duhet të pengojë publikimin e të dhënave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të njeriut.
Gjobat për mosrespektimin e detyrimeve
Për mosgarantimin e gjurmueshmërisë, projektligji parashikon gjoba nga 150 mijë deri në 250 mijë lekë, ndërsa për shkeljen e përgjegjësive të përcaktuara për operatorët ushqimorë, sipas pikave përkatëse të nenit 24, gjobat janë po në këtë interval.
Krahas masave financiare, kur provohet se një ushqim ka shkaktuar dëm në shëndetin e njeriut ose mund të përbëjë rrezik për jetën, operatori mund të përballet edhe me pezullimin ose tërheqjen e regjistrimit apo miratimit të stabilimentit.
Projektligji parashikon fillimin e efekteve të këtyre dispozitave më 1 gusht 2027, nëse miratohet në formën e propozuar. /ekofin.al
