Shqipëria po përgatit një kuadër të ri ligjor për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në vendet e Bashkimit Evropian, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës, duke synuar lehtësimin e punësimit të profesionistëve të huaj në Shqipëri dhe krijimin e kushteve për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve të profesionistëve shqiptarë në tregun evropian të punës.
Ministria e Arsimit ka përgatitur projektligjin “Për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Konfederatës së Zvicrës, si dhe për vlerësimin e proporcionalitetit të rregullave për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë”.
Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe eliminimin e pengesave të pajustifikuara për ushtrimin e profesioneve të rregulluara.
Sipas relacionit shoqërues, kuadri aktual ligjor shqiptar nuk garanton ende një sistem të plotë dhe të harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian për njohjen e kualifikimeve profesionale. Kjo situatë krijon burokraci në njohjen e diplomave dhe certifikatave, vështirësi në lëvizjen e profesionistëve dhe pasiguri juridike për bizneset dhe institucionet arsimore.
Njohje automatike për shtatë profesione, nga mjekët te arkitektët
Një nga ndryshimet kryesore të projektligjit lidhet me krijimin e sistemit të njohjes automatike të kualifikimeve profesionale për shtatë profesione të rregulluara.
Në këtë kategori përfshihen mjekët, infermierët, stomatologët, mamitë, veterinerët, farmacistët dhe arkitektët.
Për këto profesione, njohja automatike do të mbështetet në përmbushjen e kushteve minimale të formimit, të harmonizuara me standardet evropiane.
Kjo do të thotë se kualifikimet e fituara në një shtet anëtar të BE-së, që plotësojnë kërkesat përkatëse dhe përfshihen në listën e miratuar, do të kenë të njëjtin efekt juridik me kualifikimet shqiptare.
Autoritetet shqiptare nuk do të mund të rivlerësojnë përmbajtjen e formimit për kualifikimet që përmbushin kriteret e njohjes automatike.
Lista e diplomave dhe dëshmive të kualifikimit që do të përfitojnë nga ky mekanizëm do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Projektligji parashikon edhe njohjen e të drejtave të fituara për profesionistët që kanë marrë kualifikimet përpara harmonizimit të plotë të standardeve. Në raste të caktuara, njohja do të mundësohet kur profesionisti provon se e ka ushtruar profesionin për të paktën tre vite gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Njohja e diplomave dhe kualifikimeve, procedura deri në tre muaj
Projektligji përcakton afate konkrete për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e kualifikimeve profesionale.
Autoriteti kompetent do të ketë një muaj kohë për të konfirmuar marrjen e aplikimit dhe për të njoftuar profesionistin për dokumentacionin që mund të mungojë.
Pas plotësimit të dosjes, shqyrtimi duhet të përfundojë brenda tre muajve. Në raste të caktuara, ky afat mund të zgjatet edhe me një muaj.
Nëse autoriteti nuk merr vendim brenda afateve të përcaktuara, aplikanti do të ketë të drejtën e ankimit sipas legjislacionit në fuqi.
Dokumentacioni do të përfshijë certifikatat e kualifikimit, dëshmitë e përvojës profesionale dhe dokumente të tjera sipas natyrës së profesionit.
Dokumentet mund të paraqiten në gjuhën zyrtare të shtetit të origjinës, ndërsa përkthimi në shqip do të kërkohet nga autoriteti kompetent kur konsiderohet i nevojshëm.
Një element tjetër është shkëmbimi elektronik i informacionit ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre evropiane për verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve dhe statusit profesional të aplikantëve.
Profesionistët nga BE-ja mund të ofrojnë shërbime të përkohshme në Shqipëri
Projektligji krijon një regjim të posaçëm për profesionistët e kualifikuar në vendet evropiane që dëshirojnë të ofrojnë shërbime në Shqipëri për një periudhë të përkohshme.
Sipas parashikimeve, profesionistët që janë të vendosur ligjërisht në shtetin e origjinës do të mund të ofrojnë shërbime të përkohshme dhe të rastësishme, duke paraqitur paraprakisht një deklaratë me shkrim.
Deklarata do të jetë e vlefshme për një vit dhe mund të rinovohet.
Në parim, këta profesionistë nuk do t’i nënshtrohen kërkesës për anëtarësim të detyrueshëm në organizatat profesionale shqiptare vetëm për shkak të ofrimit të përkohshëm të shërbimeve.
Megjithatë, për profesionet që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin dhe sigurinë publike, autoritetet mund të kryejnë verifikime paraprake të kualifikimeve.
Profesionistët do të duhet të respektojnë rregullat shqiptare për ushtrimin e profesionit dhe të informojnë klientët për kualifikimet, vendin e origjinës dhe statusin e tyre profesional.
Njohja e përvojës profesionale edhe për zanatet, tregtinë dhe industrinë
Nisma ligjore nuk kufizohet vetëm te profesionet që kërkojnë diplomë universitare.
Ajo parashikon edhe mekanizma për njohjen automatike të kualifikimeve mbi bazën e përvojës profesionale në veprimtari të caktuara të zejtarisë, tregtisë dhe industrisë.
Në këto raste, përvoja e dokumentuar si i vetëpunësuar, drejtues biznesi apo punëmarrës mund të shërbejë si bazë për njohjen e kualifikimit profesional.
Projektligji i ndan veprimtaritë në tri lista, për të cilat do të zbatohen kritere të ndryshme, në varësi të viteve të përvojës dhe formimit profesional.
Në shumicën e rasteve, përvoja e kërkuar duhet të jetë fituar brenda dhjetë viteve përpara aplikimit.
Për profesionet që nuk përmbushin kushtet e njohjes automatike, parashikohet një sistem i përgjithshëm vlerësimi, ku autoritetet krahasojnë kualifikimin e fituar jashtë vendit me kërkesat shqiptare.
Nëse konstatohen dallime thelbësore, profesionistit mund t’i kërkohet të kryejë një test përshtatshmërie ose një periudhë praktike të mbikëqyrur, për të plotësuar diferencat në njohuri dhe aftësi.
Karta Profesionale Evropiane, procedura elektronike për njohjen e kualifikimeve
Një tjetër risi e projektligjit është krijimi i bazës ligjore për përdorimin e Kartës Profesionale Evropiane.
Kjo kartë është një instrument elektronik që lehtëson procedurat e njohjes së kualifikimeve profesionale dhe shkëmbimin e dokumentacionit ndërmjet autoriteteve të vendeve të ndryshme.
Nëpërmjet Sistemit të Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI), autoritetet shqiptare do të mund të verifikojnë dokumentet dhe t’ua transmetojnë dosjet autoriteteve homologe evropiane.
Për profesionistët shqiptarë që synojnë të ushtrojnë profesionin në një shtet tjetër, institucionet shqiptare do të kenë përgjegjësi për verifikimin dhe përgatitjen e dokumentacionit.
Ndërsa për profesionistët evropianë që kërkojnë të punojnë në Shqipëri, autoritetet vendase do të shqyrtojnë aplikimet e transmetuara elektronikisht.
Një dispozitë e rëndësishme parashikon që, në procedurat përkatëse të Kartës Profesionale Evropiane, nëse autoriteti kompetent nuk vendos brenda afatit ligjor, karta konsiderohet e lëshuar automatikisht.
Ky mekanizëm synon të shmangë vonesat administrative që mund të pengojnë ushtrimin e profesionit. /ekofin.al
