Familjet shqiptare që konsumojnë më shumë se 18 metra kub ujë në muaj mund të përballen me tarifa më të larta për sasinë që tejkalon këtë kufi, ndërsa për konsumin mbi 30 metra kub parashikohet mundësia e aplikimit të një koeficienti deri në katërfishin e tarifës bazë.
Enti Rregullator i Ujit (ERRU) ka miratuar një mekanizëm të ri tarifimi me fasha për mbikonsumin e ujit, i cili u jep mundësi shoqërive ujësjellës-kanalizime të propozojnë tarifa të diferencuara për konsumatorët familjarë, institucionet publike dhe bizneset.
Megjithatë, mekanizmi i ri nuk nënkupton rritje automatike të faturave. Shoqëritë ujësjellës-kanalizime duhet të aplikojnë pranë ERRU-së dhe të marrin miratimin përkatës përpara zbatimit të fashave të reja.
Familjet, deri në 18 m³ në muaj tarifa mbetet e pandryshuar
Sipas vendimit, për konsumatorët familjarë përcaktohen tri fasha të konsumit mujor.
Për konsumin deri në 18 metra kub ujë në muaj do të vijojë të zbatohet tarifa volumetrike e miratuar, me koeficient 1.
Për konsumin mbi 18 deri në 30 metra kub në muaj, shoqëritë ujësjellës-kanalizime mund të propozojnë një koeficient nga 1 deri në 3, ndërsa për konsumin që tejkalon 30 metra kub në muaj, koeficienti mund të variojë nga 1.5 deri në 4.
Kjo do të thotë se për sasinë e ujit që tejkalon 30 metra kub, konsumatorët mund të paguajnë deri në katërfishin e tarifës volumetrike bazë, nëse miratohet koeficienti maksimal.
Një element i rëndësishëm i vendimit është se koeficientët më të lartë nuk aplikohen mbi të gjithë konsumin mujor, por vetëm mbi sasinë që i përket fashës përkatëse.
Për shembull, nëse një familje konsumon 35 metra kub ujë në muaj, 18 metrat kub të parë do të faturohen me tarifën bazë, 12 metrat kub pasues me koeficientin e miratuar për fashën e dytë dhe vetëm 5 metrat kub të fundit me koeficientin e fashës së tretë.
Në këtë mënyrë, konsumi bazë mbetet i mbrojtur nga tarifimi progresiv.
Bizneset dhe institucionet publike, tarifim sipas konsumit historik
Për klientët privatë dhe publikë, mekanizmi parashikon një mënyrë tjetër të përcaktimit të fashave.
Ndryshe nga familjet, ku kufijtë përcaktohen në metra kub, për bizneset dhe institucionet publike do të merret si referencë mesatarja historike e konsumit gjatë vitit të fundit.
Konsumi deri në këtë mesatare do të tarifohet me koeficient 1, pra me tarifën bazë të miratuar.
Për konsumin që tejkalon mesataren historike, deri në trefishin e saj, mund të zbatohet koeficienti nga 1 deri në 3.
Ndërsa për konsumin që tejkalon trefishin e mesatares historike, koeficienti mund të arrijë nga 1.5 deri në 4.
Kjo skemë synon të diferencojë konsumin normal nga përdorimi i lartë i ujit, duke marrë parasysh karakteristikat e konsumit të secilit klient publik ose privat.
Shoqëritë ujësjellës-kanalizime duhet të marrin miratimin e ERRU-së
Vendimi përcakton se operatorët e licencuar mund të kërkojnë aplikimin e koeficientëve të mbikonsumit në dy mënyra: si pjesë e aplikimit për një nivel të ri tarifor ose përmes një aplikimi të veçantë.
Në të dyja rastet, aplikimi nuk mund të bëhet më shumë se një herë në vit.
Për të marrë miratimin, shoqëritë duhet të paraqesin një kërkesë të argumentuar, të shoqëruar me të dhëna mbi shpërndarjen e konsumit sipas kategorive të klientëve, normat e konsumit bazë, kapacitetet e sistemit dhe disponueshmërinë e burimeve ujore.
Gjithashtu, operatorët duhet të evidentojnë ndikimin e mekanizmit në të ardhurat e tyre dhe të paraqesin një plan për përdorimin e të ardhurave shtesë që pritet të krijohen nga tarifimi i mbikonsumit.
Dokumentacioni duhet të shoqërohet me vendimin e Asamblesë së Aksionarëve të shoqërisë ujësjellës-kanalizime dhe deklaratën mbi saktësinë e të dhënave të paraqitura.
ERRU ka një afat prej 30 ditësh nga paraqitja e aplikimit për shqyrtimin e kërkesës.
Komisioni Kombëtar Rregullator do të vendosë për miratimin e koeficientëve të propozuar dhe periudhën gjatë së cilës do të zbatohen.
Tarifat e reja vetëm për konsumatorët me matës uji
Një tjetër përcaktim i rëndësishëm është se koeficientët e mbikonsumit mund të aplikohen vetëm për klientët e pajisur me matës uji.
Kjo do të thotë se konsumatorët që nuk kanë matës nuk mund t’i nënshtrohen këtij mekanizmi të diferencuar tarifimi.
Shoqëritë ujësjellës-kanalizime kanë gjithashtu detyrimin të informojnë konsumatorët të paktën 30 ditë përpara fillimit të aplikimit të koeficientëve të miratuar. /ekofin.al
