Emërimet në këshillat mbikëqyrës të shoqërive aksionare shtetërore do t’u nënshtrohen procedurave të standardizuara të konkurrimit, verifikimit të integritetit dhe vlerësimit profesional. Rregullat e reja përfshijnë kompanitë me kapital shtetëror në nivel qendror dhe vendor, përfshirë sektorët e energjisë, gazit natyror dhe ujësjellës-kanalizimeve.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka miratuar një rregullore të re për organizimin dhe funksionimin e komisioneve të përhershme të emërimit, përzgjedhjen e anëtarëve të këshillave mbikëqyrës dhe monitorimin e veprimtarisë së tyre.
Rregullorja synon të krijojë një praktikë të unifikuar për emërimet në organet mbikëqyrëse të kompanive shtetërore, duke vendosur në qendër konkurrimin e hapur, meritokracinë, profesionalizmin, transparencën dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Dispozitat zbatohen për emërimet e reja, zëvendësimet gjatë mandatit, vlerësimin e anëtarëve ekzistues, monitorimin e përbërjes së këshillave mbikëqyrës dhe administrimin e dokumentacionit përkatës.
Një nga elementet kryesore të rregullores është funksionimi i komisioneve të përhershme të emërimit, të cilat do të administrojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat mbikëqyrës.
Komisionet do të shqyrtojnë dokumentacionin e aplikantëve, do të verifikojnë plotësimin e kritereve ligjore dhe profesionale, do të vlerësojnë integritetin dhe pavarësinë e kandidatëve dhe do të hartojnë listën përfundimtare për emërim.
Megjithatë, vendimi përfundimtar i emërimit mbetet kompetencë e Asamblesë së Përgjithshme të shoqërisë.
Për anëtarët e pavarur të komisioneve parashikohet konkurrim i hapur. Katër anëtarët e pavarur të secilit komision do të përzgjidhen mbi bazën e kritereve profesionale, ndërsa përfaqësuesit institucionalë do të caktohen nga institucionet përkatëse.
Anëtarët e pavarur të komisioneve do të kenë mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje. Në rast krijimi të një vendi vakant gjatë mandatit, institucioni përgjegjës duhet të nisë procedurën e zëvendësimit brenda 30 ditëve.
Rregullorja vendos kërkesa për integritetin dhe pavarësinë e personave që marrin pjesë në komisionet e emërimit.
Anëtarët duhet të kenë përvojë dhe njohuri në qeverisjen korporative, financa, auditim, të drejtën tregtare, menaxhimin e riskut ose fusha të ngjashme.
Në përputhje me kufizimet e përcaktuara në kuadrin ligjor, nuk mund të emërohen në këto komisione funksionarë politikë, drejtues të ndërmarrjeve shtetërore, administratorë të shoqërive tregtare, persona në konflikt interesi dhe punonjës të organeve qendrore apo vendore që kryejnë funksione auditimi.
Këto kufizime synojnë të shmangin ndikimin e interesave politike ose institucionale në procesin e vlerësimit të kandidatëve.
Përzgjedhja e anëtarëve të pavarur të komisioneve do të realizohet përmes shpalljeve publike në faqet zyrtare të institucioneve.
Afati për paraqitjen e kandidaturave nuk mund të jetë më i shkurtër se 10 ditë pune nga publikimi i shpalljes.
Nëse nuk paraqiten kandidatura të mjaftueshme ose kandidatët nuk plotësojnë kriteret minimale, institucioni mund të zgjasë afatin ose të rishpallë procedurën për të paktën pesë ditë pune.
Kandidatët duhet të paraqesin dokumentacionin për kualifikimet, përvojën profesionale dhe deklarimin e konfliktit të interesit.
Vlerësimi kryhet mbi bazën e një matrice pikëzimi të miratuar përpara shqyrtimit të kandidaturave.
Kur numri i kandidatëve të kualifikuar është më i madh se numri i vendeve vakante, përparësi ka kandidati me pikëzimin më të lartë. Në rast barazie, merren në konsideratë ekspertiza që mungon në komision, përvoja profesionale, integriteti, pavarësia dhe balanca gjinore.
Vendimet për përparësinë e një kandidati duhet të arsyetohen me shkrim. /ekofin.al
