Australia është bërë vendi i parë që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke bllokuar aksesin në platforma si TikTok, YouTube i Alphabet dhe Instagram e Facebook të Meta-s që nga mesnata.
Dhjetë prej platformave më të mëdha u urdhëruan të bllokojnë aksesin për fëmijët nga mesnata e së mërkurës (1300 GMT të martën), përndryshe do të përballen me gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë (33 milionë dollarë amerikanë), sipas ligjit të ri që ka sjellë kritika nga kompanitë e teknologjisë dhe mbrojtësit e lirisë së shprehjes, por është përshëndetur nga prindërit dhe grupet e mbrojtjes së fëmijëve.
Ky ndalim po vëzhgohet nga afër nga vende të tjera që po shqyrtojnë masa të ngjashme të bazuara në moshë, mes shqetësimeve në rritje për ndikimin e rrjeteve sociale tek shëndeti dhe siguria e fëmijëve.
Në një mesazh video që Sky News Australia tha se do të transmetohej në shkolla këtë javë, Kryeministri Anthony Albanese u shpreh se ndalimi synon të mbështesë të rinjtë australianë dhe të zbusë presionin që mund të vijë nga flukset e pafundme dhe algoritmet.
“Shfrytëzoni sa më shumë pushimet e shkollës që po vijnë. Në vend që ta kaloni kohën duke lundruar pafund në telefon, filloni një sport të ri, mësoni një instrument të ri, ose lexoni atë libër që ka kohë që rri në raft,” tha ai.
“Dhe, mbi të gjitha, kaloni kohë cilësore me miqtë dhe familjen tuaj, ballë për ballë.”
Australia mund të vendosë precedent
Zbatimi i ligjit i jep fund një viti spekulimesh për atë nëse një vend mund t’u ndalojë fëmijëve përdorimin e teknologjisë që tashmë është pjesë e jetës moderne.
Ai gjithashtu shënon fillimin e një eksperimenti real që do të studiohet globalisht nga ligjvënës të zhgënjyer nga industria e teknologjisë, të cilën e akuzojnë për vonesa në masat për reduktimin e dëmeve.
“Ndërsa Australia është e para që miraton kufizime të tilla, ka shumë gjasa që të mos jetë e fundit,” tha Tama Leaver, profesor i studimeve të internetit në Universitetin Curtin.
“Qeveritë në mbarë botën po shikojnë se si iu kundërvunë me sukses kompanive të mëdha të teknologjisë. Ndalimi i rrjeteve sociale në Australi … është si kanarina në minierën e qymyrit.”
Qeveritë nga Danimarka në Malajzi – e madje edhe disa shtete në SHBA, ku platformat po reduktojnë funksionet e sigurisë – thonë se planifikojnë hapa të ngjashëm, katër vjet pasi një rrjedhje e dokumenteve të brendshme të Meta-s zbuloi se kompania ishte në dijeni se produktet e saj kontribuonin në probleme të imazhit trupor tek adoleshentët. Meta ka deklaruar se ka mjete për mbrojtjen e fëmijëve.
Ndalimi vjen në një moment kur përdorimi i rrjeteve sociale po ngadalësohet
Ndalimi fillimisht mbulon 10 platforma, por qeveria tha se lista do të ndryshojë me shfaqjen e produkteve të reja dhe me kalimin e përdoruesve të rinj drejt alternativave.
Nga dhjetë platformat fillestare, të gjitha përveç X të Elon Musk kanë thënë se do të zbatojnë ndalimin duke përdorur inferencën e moshës – vlerësim i moshës nga aktiviteti online – ose vlerësimin e moshës, që zakonisht mbështetet në një selfie. Ato mund të kërkojnë gjithashtu dokument identifikimi të ngarkuar nga përdoruesit ose të përdorin të dhëna nga llogaritë bankare të lidhura.
Musk ka deklaruar se ndalimi “duket si një mënyrë e tërthortë për të kontrolluar aksesin në internet për të gjithë australianët”, ndërsa shumica e platformave janë ankuar se masa bie ndesh me të drejtën e fjalës së lirë. Një padi në Gjykatën e Lartë të Australisë, e mbështetur nga një ligjvënës libertarian, është ende në proces.
Për bizneset e rrjeteve sociale, zbatimi i kësaj mase shënon një epokë të re stagnimi strukturor, pasi numri i përdoruesve mbetet i qëndrueshëm dhe koha e kaluar në platforma po pakësohet, sipas studimeve./Përshtati nga Reuters, ekofin.al

