Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të parë 2024, është 73,641 lekë, nga 64,706 lekë që ishte vitin e kaluar, duke u rritur me 8,935 lekë ose 13.8%. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, paga mesatare bruto paraqitet me një rënie prej 1.8%, e cila me shumë mundësi mendohet të ketë ardhur si pasojë e dhënies së shpërblimeve në fundvit.
Sipas shifrave, gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar vijojnë të jenë Aktivitetet Financiare e të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.
Ndërkohë, në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2023, kur nuk ishte implementuar ende rritja e pagave në administratën publike, rritjen më të madhe e ka shënuar pikërisht kjo kategori, me 15.3%, duke ndikuar përgjithësisht edhe në rritjen e pages mesatare në sektorin publik.
Nga ana tjetër, nëse analizojmë rritjen vjetore të pagave në sektorin publik dhe atë privat, të dhënat tregojnë se, pagat në shtet u rritën me 16% në tremujorin e parë të vitit aktual në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, duket se sektori privat nuk arriti të ndjekë të njëjtat hapa me rritjen. Në sektorin privat pagat u rritën me 12.7% për të njëjtën periudhë.
Por cilat janë gruprofesionet më të paguara? Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, grup-profesionet e “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë” ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar. Konkretisht, kjo kategori e profesioneve paguhet mesatarisht 118,699 lekë në muaj, ndërkohë që më pak të paguarit janë profesionet elementare që përfshijnë kategorinë e punëtorëve. Për këto të fundit paga mesatare bruto arrin në 48,131 lekë në muaj.
