Komisioni Evropian ka prezantuar EU Talent Pool, një platformë të re digjitale që do të lidhë punëkërkuesit nga vendet jashtë Bashkimit Europian me punëdhënësit në shtetet anëtare, ndërsa Europa përballet me mungesa gjithnjë e më të mëdha të fuqisë punëtore.
Nisma u njoftua më 15 qershor 2026 nga Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit e Komisionit Evropian, paralelisht me zbatimin e rregullave të përditësuara të Direktivës për Lejen e Vetme të Punës dhe Qëndrimit (Single Permit Directive) në vendet e BE-së.
Të dyja zhvillimet synojnë t’ua lehtësojnë bizneseve europiane rekrutimin e punonjësve nga vendet e treta, në një kohë kur mungesat në tregun e punës po thellohen për shkak të plakjes së popullsisë dhe rënies demografike.
Si do të funksionojë platforma EU Talent Pool?
EU Talent Pool do të jetë instrumenti i parë i përbashkët i rekrutimit në nivel të Bashkimit Europian, i krijuar posaçërisht për shtetasit e vendeve jashtë BE-së që dëshirojnë të punojnë në Europë.
Platforma do të fokusohet veçanërisht në sektorët ku shtetet anëtare raportojnë vështirësi për të gjetur punonjës të kualifikuar.
Punëkërkuesit nga vendet e treta do të kenë mundësi të krijojnë profile personale, ku do të paraqesin aftësitë profesionale, kualifikimet, përvojën e punës dhe njohuritë gjuhësore.
Nga ana tjetër, punëdhënësit në vendet pjesëmarrëse të BE-së do të mund të publikojnë drejtpërdrejt vendet e lira të punës në platformë.
Megjithëse kuadri ligjor i nismës ka hyrë zyrtarisht në fuqi në qershor 2026, Komisioni Europian ka bërë të ditur se platforma është ende në fazën e ndërtimit.
Ajo pritet të jetë plotësisht funksionale deri në fund të vitit 2027.
Pse po vepron BE-ja tani?
Tkurrja dhe plakja e fuqisë punëtore në Europë e kanë kthyer mungesën e punonjësve në një nga çështjet kryesore të agjendës ekonomike të Bashkimit Europian.
Sipas Komisionit Europian, lehtësimi i migracionit të ligjshëm është thelbësor për ruajtjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë europiane, në një treg global ku kërkesa për punonjës të kualifikuar është gjithnjë e më e lartë.
Platforma EU Talent Pool është pjesë e strategjisë më të gjerë të migracionit të BE-së, e cila synon të krijojë një ekuilibër ndërmjet tërheqjes së talenteve nga vendet e treta dhe forcimit të kontrollit mbi migracionin e parregullt.
Kjo qasje lidhet me Paktin e BE-së për Migracionin dhe Azilin, i cili përcakton rregulla detyruese për reformimin e mënyrës se si shtetet anëtare trajtojnë kërkesat për azil dhe menaxhojnë flukset migratore.
Ndërkohë, Direktiva e përditësuar për Lejen e Vetme synon të thjeshtojë procedurat për shtetasit jashtë BE-së që kërkojnë një leje të përbashkët pune dhe qëndrimi.
Ndryshimet reduktojnë procedurat administrative si për punëdhënësit, ashtu edhe për aplikantët, duke lehtësuar punësimin e ligjshëm të shtetasve të huaj në vendet e Bashkimit Europian.
BE përgatit ndryshime edhe në rregullat e vizave Shengen
Paralelisht me masat për të lehtësuar punësimin e shtetasve të huaj, Bashkimi Europian po përgatit ndryshime edhe në rregullat e vizave Shengen.
Nisma vjen pas strategjisë për vizat, të prezantuar nga Komisioni Evropian në janar 2026, dhe synon të shndërrojë disa prej objektivave të shpallura në masa konkrete ligjore.
Megjithatë, propozimi përfundimtar legjislativ nuk pritet të paraqitet përpara fillimit të vitit 2027.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar se si alternativat që po shqyrtohen, ashtu edhe afatet e zbatimit, mund të ndryshojnë gjatë procesit të hartimit të legjislacionit. /ekofin.al
