Trashëgimia kulturore mund të marrë një rol më të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, përtej funksionit të saj historik dhe identitar. Ky është një nga drejtimet kryesore të projektligjit të hedhur për konsultim publik, ku propozohen ndryshime në ligjin nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, duke rishikuar mënyrën se si mbrohen, financohen, administrohen dhe përdoren ekonomikisht pasuritë kulturore.
Projektligji nuk parashikon kalimin automatik të pronave private në pronësi të shtetit, por vendos detyrime për ruajtjen e tyre dhe rregulla më të forta për tregtimin dhe lëvizjen jashtë vendit të objekteve kulturore.
Një nga çështjet që kërkon sqarim në projektligjin për ndryshimet në ligjin për trashëgiminë kulturore është raporti mes pronësisë private dhe mbrojtjes së interesit kulturor.
Pronësia private ruhet, por shoqërohet me detyrime. Një objekt mund të jetë në pronësi private edhe pasi deklarohet pasuri me interes kulturor. Kjo nuk do të thotë se pronari humbet automatikisht pronësinë, por se përdorimi, mirëmbajtja dhe ndërhyrjet në të duhet të respektojnë kufizimet e mbrojtjes kulturore.
Pronari ose poseduesi mund të ketë detyrime financiare për punimet e ruajtjes. Projektligji parashikon që këto shpenzime të llogariten mbi bazën e preventivit të miratuar dhe kostove faktike të verifikuara, duke zbritur kontributin publik. Përpara përcaktimit të detyrimit përfundimtar, pronari duhet të njoftohet dhe të ketë të paktën 15 ditë kohë për të paraqitur vërejtjet. Detyrimi caktohet me urdhër të arsyetuar të ministrit dhe mund të kundërshtohet në gjykatë.
Kur mund ta blejë shteti një pronë private?
Projektligji përcakton edhe mënyrën e vlerësimit të pasurive kulturore private në rast shpronësimi për interes publik ose blerjeje nga shteti. Përveç vlerës së zakonshme të pronës, në çmim duhet të merren parasysh vlerat historike, arkitektonike dhe artistike, autenticiteti dhe gjendja e ruajtjes.
Në rastin e blerjes me marrëveshje, ky vlerësim shërben si bazë për përcaktimin e çmimit, pa cenuar të drejtën e parablerjes së shtetit, të parashikuar në ligj.
Një dispozitë tjetër parashikon se, kur kërkohet licencë për nxjerrjen përfundimtare jashtë Shqipërisë të një objekti me vlera të veçanta ose unike, zyra për import-eksportin mund t’i propozojë ministrisë blerjen e detyrueshme të tij, kundrejt një shpërblimi të drejtë. Pra, projektligji parashikon një mundësi ndërhyrjeje të shtetit përpara se të lejohet dalja përfundimtare e objektit nga vendi.
Tregtia e pasurive kulturore vetëm përmes subjekteve të licencuara
Veprimtaria tregtare me pasuritë kulturore do të ushtrohet nga subjekte të licencuara. Për regjistrimin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, subjektet duhet të paraqesin edhe një deklaratë për përmbushjen e detyrimeve që përcakton ligji. QKB-ja do të njoftojë ministrinë përgjegjëse dhe Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore për subjektet e regjistruara.
Në rast të shkeljeve të përsëritura, pas masave administrative, licenca mund të revokohet me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.
Importi dhe eksporti me dokumentacion për origjinën
Për objektet kulturore që hyjnë në Shqipëri, projektligji parashikon licencë importi ose deklaratë të importuesit, sipas kategorisë së objektit. Kërkohet dokumentacion që identifikon pasurinë, provon prejardhjen dhe vërteton se ajo ka dalë ligjërisht nga vendi i origjinës.
Përjashtime parashikohen për hyrjet e përkohshme për qëllime edukimi, kërkimi shkencor, konservimi, restaurimi, ekspozimi, digjitalizimi dhe bashkëpunimi mes muzeve. Edhe objektet që hyjnë për panaire tregtare arti përjashtohen nga licenca e importit, por kërkohet deklarata përkatëse.
Për eksportin e përkohshëm, licenca përcakton afatin e qëndrimit jashtë vendit, i cili nuk mund të kalojë 18 muaj.
Ndërsa për daljen përfundimtare, vlera monetare e objekteve do të përcaktohet edhe mbi bazën e një liste çmimesh reference sipas vlerës së tregut.
Projektligji forcon gjithashtu mekanizmat për kthimin e objekteve të trafikuara në mënyrë të paligjshme. Nëse provohet se një objekt është nxjerrë jashtë territorit të një shteti në kundërshtim me ligjin, ai mund të kthehet me vendim gjykate. Poseduesi mund të përfitojë kompensim vetëm nëse provon se ka treguar kujdesin e duhur gjatë blerjes, përfshirë verifikimin e origjinës dhe dokumenteve të eksportit. /ekofin.al
