Shqipëria merr pjesë nga data 17-19 nëntor në Panairin Ndërkombëtar “Organic & Natural Products” që zhvillohet në Dubai, një nga ngjarjet më të rëndësishme në rajon për sektorin e produkteve bio, organike dhe natyrale. Aktiviteti përbën një mundësi të çmuar për bizneset shqiptare që të prezantojnë cilësinë, origjinën dhe potencialin e produkteve vendase në një treg global me kërkesë të lartë dhe standarde të larta.
Në stendat e Shqipërisë po ekspozohen disa prej kategorive më të kërkuara të eksporteve shqiptare: bimët mjekësore dhe vajrat esencialë, vaji i ullirit extra i virgjër, lëngjet natyrale të frutave, uji me origjinë malore, si edhe produkte të tjera organike që vijnë nga një traditë e gjatë e kultivimit natyral. Sektori i bimëve mjekësore, që prej vitesh përbën një nga asetet më konkurruese të vendit në eksport, është ndër më të spikaturit në panair, me prezantime që kanë tërhequr interesin e vizitorëve ndërkombëtarë dhe të kompanive të specializuara në tregtinë globale të produkteve natyrore.
Pjesëmarrja e kompanive shqiptare është koordinuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, si pjesë e strategjisë së zgjerimit të pranisë së produkteve shqiptare në tregjet e huaja dhe forcimit të diplomacisë ekonomike. Synimi kryesor është jo vetëm rritja e eksporteve, por edhe pozicionimi i Shqipërisë si një furnizues i besueshëm i produkteve të certifikuara natyrore, me origjinë të pastër dhe cilësi të qëndrueshme.
Dita e parë e panairit u shoqërua me një moment të rëndësishëm diplomatik dhe institucional: vizitën në stendën shqiptare të H.E. Eng. Marwan Ahmed Bin Ghalita, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkisë së Dubait, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Emiratit të Dubait dhe anëtar i Këshillit Suprem të Energjisë. Vizita e tij u cilësua si një vlerësim i qartë për punën e institucioneve shqiptare në nxitjen e bizneseve vendase dhe si një sinjal pozitiv për forcimin e marrëdhënieve ekonomike me Emiratet e Bashkuara Arabe, një treg që po rritet me ritme të shpejta dhe që ka interes në produkte me cilësi të lartë natyrore.
Produktet “Made in Albania” po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën ndërkombëtare, duke reflektuar traditën e kombinuar me standardet moderne të prodhimit. Nga vaji i ullirit që njihet për cilësinë e tij mesdhetare, tek çajrat malorë dhe bimët medicinale nga zonat alpine, deri te uji natyral i burimeve malore dhe lëngjet e freskëta, Shqipëria po përcjell një imazh të qartë të potencialit të saj natyror dhe të orientimit drejt produkteve të qëndrueshme.
Panairi “Organic & Natural Products” shërben si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të pranisë komerciale të kompanive shqiptare në Lindjen e Mesme dhe në tregjet globale. Për AIDA-n dhe institucionet shqiptare, ky është një tjetër konfirmim se vendi ka potencial real për të konkurruar në sektorin e produkteve natyrore dhe se investimi në promovimin ndërkombëtar është çelësi për zgjerimin e rrjetit të partnerëve dhe forcimin e markës shqiptare në botë.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panair shërben gjithashtu për takime B2B, krijimin e kontakteve të reja tregtare, si edhe mbështet rritjen e mundësive për eksporte të qëndrueshme në një treg që po rritet me shpejtësi. /ekofin.al







