Tregu i sigurimeve po shënon një rritje të ngadaltë gjatë vitit 2026 dhe një nga faktorët që ka ndikuar në këtë ecuri është performanca e dobët e sigurimit të pronës. Pavarësisht ngjarjeve të shumta natyrore, përfshirë zjarret e muajve të verës që shkaktuan dëme të konsiderueshme, qytetarët dhe bizneset vijojnë të tregojnë interes të kufizuar për mbrojtjen e pasurive të tyre përmes sigurimit. Ndërkohë, projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, i cili sipas informacioneve të Ekofin është depozituar në Këshillin e Ministrave, vijon të mbetet pa miratim.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për periudhën janar–shtator 2026 tregojnë se primet e shkruara bruto në sigurimin nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë arritën në rreth 1.92 miliardë lekë, nga 2.24 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo përfaqëson një rënie prej 14.61%, ose rreth 328 milionë lekë më pak prime sigurimi në nëntë muaj.
Ecuria negative e këtij segmenti bie në sy veçanërisht në një vit kur tregu i sigurimeve në tërësi ka regjistruar rritje modeste. Sipas AMF-së, primet e përgjithshme të sigurimit gjatë nëntëmujorit arritën në 20.57 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 1.94% krahasuar me një vit më parë.
Kjo do të thotë se sigurimi i pronës, në vend që të shërbente si një nga burimet e zgjerimit të tregut, ka ushtruar ndikim negativ mbi ecurinë e përgjithshme të tij.
Zjarret e verës nuk e ndryshuan tendencën e sigurimit
Rënia e sigurimit të pronës bëhet edhe më shqetësuese në kontekstin e ngjarjeve natyrore që kanë prekur vendin gjatë vitit.
Zjarret e muajve të verës, që shkaktuan dëme në prona, sipërfaqe pyjore, toka bujqësore dhe aktivitete ekonomike, pritej të shërbenin si një faktor sensibilizues për rëndësinë e sigurimit.
Megjithatë, statistikat tregojnë se këto ngjarje nuk janë shoqëruar me një rritje të primeve të sigurimit të pronës gjatë periudhës së analizuar.
Kjo situatë evidenton dobësinë e kulturës së sigurimit vullnetar në Shqipëri, ku mbrojtja financiare ndaj fatkeqësive natyrore nuk është kthyer ende në një praktikë të konsoliduar.
Një nga problemet kryesore mbetet fakti se pasojat financiare të fatkeqësive natyrore shpesh përballohen drejtpërdrejt nga familjet dhe bizneset, ndërsa në rastet e dëmeve të mëdha rriten edhe pritshmëritë për ndërhyrje nga buxheti i shtetit.
Dëmet e paguara rriten me 24.4%, 507.6 milionë lekë
Në ndryshim me tkurrjen e primeve, dëmet e paguara nga kompanitë e sigurimit për pronën kanë regjistruar rritje.
Sipas AMF-së, gjatë periudhës janar–shtator 2026, shoqëritë e sigurimit paguan gjithsej 507.6 milionë lekë dëme, nga rreth 408 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo përfaqëson një rritje prej 24.4%, ose afro 99.6 milionë lekë më shumë.
Sigurimi i detyrueshëm nga tërmetet, projektligji mbetet në Kryeministri
Ndërkohë që sigurimi vullnetar i pronës vijon të shfaqë dobësi, ende nuk ka përparim të dukshëm në miratimin e kuadrit të ri ligjor për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet.
Sipas informacioneve që Ekofin ka siguruar, projektligji është përgatitur dhe depozituar në Këshillin e Ministrave, por ende nuk ka kaluar për miratim.
Nisma synon krijimin e një mekanizmi më të qëndrueshëm të mbrojtjes financiare për dëmet që shkaktohen nga tërmetet, duke reduktuar varësinë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta të buxhetit të shtetit në rast fatkeqësish të mëdha.
Përvoja e tërmetit të 26 nëntorit 2019 evidentoi ekspozimin e lartë të familjeve dhe ekonomisë shqiptare ndaj fatkeqësive natyrore, si dhe nevojën për mekanizma më të zhvilluar të transferimit të rrezikut financiar te industria e sigurimeve.
Megjithatë, vonesa në miratimin e projektligjit po shtyn krijimin e një instrumenti që mund të zgjerojë mbulimin e pronave nga rreziqet sizmike.
Në mungesë të një skeme të detyrueshme, mbrojtja e pronave vijon të mbështetet kryesisht te sigurimi vullnetar dhe te policat e lidhura me kreditë bankare, në rastet kur institucionet financiare e kërkojnë këtë mbulim.
Një treg me potencial të pashfrytëzuar
Ecuria e nëntëmujorit 2026 tregon se sigurimi i pronës mbetet një nga segmentet me sfidat më të mëdha të tregut shqiptar të sigurimeve.
Tkurrja me 14.6% e primeve, në një kohë kur dëmet e paguara janë rritur me 24.4%, nxjerr në pah nevojën për zgjerimin e bazës së sigurimit dhe për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe bizneseve.
Në një vend të ekspozuar ndaj tërmeteve, përmbytjeve, zjarreve dhe rreziqeve të tjera natyrore, sigurimi i pronës nuk përbën vetëm një produkt financiar, por edhe një instrument të rëndësishëm për qëndrueshmërinë ekonomike. /ekofin.al
