Edhe pse reforma e re administrativo-territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe uljen e numrit të njësive vendore nga 61 në 46, projektbuxheti i vitit 2027 vijon t’i trajtojë këto bashki si njësi të veçanta financimi. Në total, për to janë parashikuar rreth 5.95 miliardë lekë transferta nga buxheti i shtetit, nga të cilat 3.22 miliardë lekë transferta të përgjithshme dhe 2.73 miliardë lekë transferta sektoriale.
Sipas të dhënave të tabelës së transfertave për bashkitë, që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2027, 15 njësitë vendore që humbasin statusin e bashkisë së pavarur përfitojnë së bashku rreth 12.3% të totalit të transfertave të pakushtëzuara të parashikuara për të 61 bashkitë.
Reforma e re territoriale, e miratuar nga Kuvendi në tetor, parashikon bashkimin e këtyre njësive me bashki të tjera ekzistuese. Harta e re do të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa deri në konstituimin e organeve të reja vendore, strukturat aktuale vijojnë ushtrimin e kompetencave.
Nga 15 bashkitë që do të shkrihen, Maliqi rezulton njësia me financimin më të lartë për vitin 2027, me rreth 797 milionë lekë. Kjo bashki, që do të bëhet pjesë e Bashkisë Korçë, përfiton rreth 458 milionë lekë nga transferta e përgjithshme, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga transfertat sektoriale.
Në vendin e dytë renditet Divjaka, e cila do t’i bashkohet Lushnjës, me rreth 575 milionë lekë. Pas saj vjen Përrenjasi, që do të integrohet në Bashkinë Librazhd, me rreth 486 milionë lekë.
Financime të konsiderueshme janë parashikuar edhe për Cërrikun, me 452 milionë lekë, Selenicën me 429 milionë lekë, Dimalin me 429 milionë lekë dhe Patosin me 417 milionë lekë.
Në anën tjetër, Libohova rezulton bashkia me financimin më të ulët ndër 15 njësitë që do të shkrihen, me rreth 138 milionë lekë. Ajo ndiqet nga Këlcyra, me 219 milionë lekë, dhe Poliçani, me 288 milionë lekë.

Çfarë përfshijnë këto fonde?
Transfertat e parashikuara në projektbuxhetin 2027 përfshijnë dy komponentë kryesorë.
Komponenti i parë është transferta e pakushtëzuar e përgjithshme, e cila për 15 bashkitë arrin në rreth 3.22 miliardë lekë. Këto fonde shërbejnë për financimin e funksioneve dhe shërbimeve vendore, sipas prioriteteve dhe kompetencave të njësive të vetëqeverisjes vendore.
Komponenti i dytë, me rreth 2.73 miliardë lekë, përfshin transfertat e pakushtëzuara sektoriale, të destinuara për funksione të tilla si arsimi parashkollor dhe parauniversitar, mbrojtja nga zjarri, mbrojtja sociale, administrimi i pyjeve, mirëmbajtja e rrugëve, ujitja dhe kullimi, rritja e nivelit të pagave dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.
Reforma territoriale ndryshon administrimin e fondeve
Parashikimi i fondeve për 15 bashkitë në projektbuxhetin e vitit 2027 krijon një situatë të veçantë për financat vendore, pasi ky do të jetë viti i kalimit drejt hartës së re administrativo-territoriale.
Me hyrjen në funksion të bashkive të riorganizuara, territoret e 15 njësive që shkrihen do të administrohen nga bashkitë pritëse, të cilat do të marrin përgjegjësinë për ofrimin e shërbimeve publike në një territor më të gjerë.
Për shembull, Bashkia Elbasan do të përfshijë Cërrikun dhe Belshin, për të cilat projektbuxheti 2027 parashikon së bashku rreth 801 milionë lekë transferta. Ndërkohë, Bashkia Berat do të zgjerohet me Dimalin dhe Poliçanin, për të cilat janë parashikuar së bashku rreth 717 milionë lekë.
Kjo do të kërkojë harmonizimin e financimit të shërbimeve, administrimit të personelit, investimeve dhe detyrimeve financiare të njësive që bashkohen.
Megjithatë, fondet e evidentuara në tabelën e projektbuxhetit nuk nënkuptojnë automatikisht se këto shuma do t’u transferohen të pandryshuara bashkive pritëse. Mënyra e rishpërndarjes dhe administrimit të tyre pas hyrjes në funksion të strukturave të reja do të varet nga aktet dhe procedurat e zbatimit të reformës. /ekofin.al
