Fatura financiare e Shqipërisë për çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar ka vijuar të rritet gjatë vitit 2026, duke arritur në 184.7 milionë euro në fund të shtatorit, nga 183.6 milionë euro që ishte në fund të majit. Brenda katër muajve, detyrimet faktike dhe kontingjente janë shtuar me rreth 1.17 milionë euro, duke rënduar më tej ekspozimin financiar të buxhetit të shtetit ndaj vendimeve të arbitrazhit.
Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, në kuadër të monitorimit të risqeve fiskale, tregojnë se në fund të shtatorit 2026 detyrimet e mbetura nga vendimet e arbitrazhit dhe kostot ligjore arrinin në 74.55 milionë euro, ndërsa detyrimet kontingjente vlerësoheshin në 110.19 milionë euro.
Krahasuar me muajin maj, kur detyrimet totale ishin 183,565,303 euro, në shtator ato kanë arritur në 184,736,290 euro, ose 1,170,987 euro më shumë.
Një zhvillim i rëndësishëm është edhe ndryshimi i strukturës së detyrimeve. Në fund të majit, detyrimet e mbetura nga vendimet dhe kostot ligjore ishin 73.8 milionë euro, ndërsa në shtator arritën në 74.55 milionë euro, me një rritje prej afro 746 mijë eurosh.
Ndërkohë, detyrimet kontingjente u rritën nga 109.76 milionë euro në 110.19 milionë euro, ose rreth 425 mijë euro më shumë.
Këto shifra tregojnë se ekspozimi financiar i shtetit shqiptar nuk lidhet vetëm me vendimet për të cilat ekziston një detyrim i mbetur për t’u shlyer, por edhe me çështje që mund të krijojnë kosto të tjera në të ardhmen.

Çështja “Becchetti” përbën ekspozimin më të madh financiar
Peshën më të madhe në faturën e arbitrazheve vijon ta mbajë çështja ICSID nr. ARB/15/28, “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, e njohuri si çështja Becchetti.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, detyrimi kontingjent për këtë çështje arrin në 108.3 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 58.6% të të gjithë ekspozimit financiar të raportuar nga arbitrazhet ndërkombëtare.
Në këtë çështje përfshihen edhe kostot ligjore të lidhura me vendimin e arbitrazhit, të cilat në fund të shtatorit arrinin në rreth 3.95 milionë euro, nga 3.75 milionë euro në fund të majit.
Vetëm këto dy zëra përfaqësojnë mbi 112 milionë euro detyrime faktike dhe kontingjente.
Përqendrimi i një pjese kaq të madhe të ekspozimit financiar në një çështje të vetme përbën një element të rëndësishëm të riskut fiskal, pasi zhvillimet ligjore dhe financiare të saj mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në buxhet.
Copri-Aktor, Dondi dhe GBC Oil, miliona euro detyrime të mbetura
Ndër çështjet e tjera me peshë të konsiderueshme financiare është arbitrazhi i lidhur me projektin rrugor Copri-Aktor kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Në fund të shtatorit, detyrimi i mbetur për këtë çështje ishte 41.14 milionë euro, ndërsa kostot ligjore dhe gjyqësore arrinin në 150 mijë euro. Në total, ekspozimi financiar për këtë çështje rezulton rreth 41.3 milionë euro, i pandryshuar krahasuar me muajin maj.
Një tjetër detyrim i konsiderueshëm lidhet me çështjen e kompanisë italiane Construzioni Dondi S.P.A., ku detyrimi i mbetur arrin në 13.28 milionë euro, së bashku me 28,500 euro kosto ligjore dhe administrative.
Ndërkohë, çështja GBC Oil Company LTD kundër Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN-së dhe Albpetrolit përfaqëson një detyrim prej 11.86 milionë eurosh.
Por në këtë rast vërehet edhe një nga ndryshimet më të mëdha ndërmjet dy periudhave të raportimit.
Kostot ligjore për procedurat e përfaqësimit në këtë çështje janë rritur nga 292,500 euro në fund të majit në 1,455,400 euro në fund të shtatorit, ose me rreth 1.16 milionë euro.
Kjo rritje përbën një nga faktorët kryesorë që shpjegojnë rëndimin e faturës totale të arbitrazheve gjatë periudhës maj–shtator.

Kostot ligjore vijojnë të rëndojnë buxhetin
Përtej detyrimeve që burojnë drejtpërdrejt nga vendimet e arbitrazhit, një pjesë e konsiderueshme e faturës financiare lidhet me shpenzimet për përfaqësim ligjor, administrimin e proceseve dhe procedurat gjyqësore.
Në çështjen IK Invest dhe Novomatic AG kundër Shqipërisë, shpenzimet e raportuara për përfaqësim dhe procedura gjyqësore rezultojnë në 1.6 milionë euro në shtator, nga 1.93 milionë euro në maj.
Ndërkohë, në çështjen e arbitrazhit të Mimoza Ndroqit kundër Republikës së Shqipërisë, ekspozimi total i raportuar është rritur nga 36,163 euro në fund të majit në 625 mijë euro në fund të shtatorit. Nga kjo shumë, 330 mijë euro janë detyrime të mbetura dhe 295 mijë euro detyrime kontingjente.
Për çështjen e kompanisë Erjoni sh.p.k. kundër Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit/Republikës së Shqipërisë, kostot e mbetura të përfaqësimit janë ulur nga 2.33 milionë euro në 1.9 milionë euro.
Kjo tregon se, ndërsa për disa çështje ka pasur reduktim të detyrimeve, rritjet në zëra të tjerë kanë qenë më të mëdha, duke e çuar faturën e përgjithshme në një nivel më të lartë. /ekofin.al
