Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një paketë të re masash mbështetëse për studentët, që përfshin rritjen e bursave për ata që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike, zgjerimin e përfitimeve në nivelin master, lehtësi për strehimin dhe një skemë të re punësimi gjatë praktikave profesionale. Duke iu përgjigjur protestave studentore, Rama mbrojti Paktin për Universitetin të vitit 2018, duke deklaruar se aktualisht 60% e studentëve përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti.
Në një deklaratë të gjatë kushtuar studentëve dhe zhvillimeve të fundit në universitete, Kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të përfitimeve që, sipas tij, kanë ardhur nga Pakti për Universitetin, marrëveshja e ndërmarrë pas protestave studentore të vitit 2018.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Kryeministri, aktualisht gjashtë në dhjetë studentë përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje financiare nga shteti, përmes bursave, përjashtimit nga tarifat e studimit ose përgjysmimit të tyre.
Konkretisht, Rama deklaroi se 4,118 studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime, ndërsa 4,648 studentë të tjerë përfitojnë bursë për shkak se vijnë nga familje në nevojë ekonomike.
Një kategori prej 434 studentësh të shkëlqyer përfiton bursë mujore në vlerën e një page minimale.
Ndërkohë, 10,152 studentë janë plotësisht të përjashtuar nga pagesa e tarifës universitare, ndërsa për 27,050 studentë të tjerë qeveria mbulon 50% të tarifës së studimit.
Kryeministri theksoi se këto masa janë pjesë e angazhimeve të marra në kuadër të Paktit për Universitetin, duke argumentuar se mbështetja financiare për arsimin e lartë është zgjeruar gjatë viteve të fundit.
Bursat për studentët në nevojë rriten me 15 mijë lekë, përfshihet edhe masteri
Një nga njoftimet kryesore të Kryeministrit lidhet me rritjen e bursave për studentët që vijnë nga familje në vështirësi ekonomike.
Sipas Ramës, bursa mujore për këtë kategori do të rritet me 15 mijë lekë, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj, ose sa gjysma e pagës minimale të referuar në deklaratën e tij.
Kjo përfaqëson një rritje prej 150% krahasuar me nivelin e mëparshëm prej 10 mijë lekësh në muaj.
Një tjetër ndryshim është zgjerimi i kësaj mbështetjeje edhe për studentët e nivelit master, të cilët do të përfshihen në skemën e bursave sipas kritereve që do të përcaktohen.
Masa synon të lehtësojë barrën financiare të studentëve nga familjet me të ardhura të ulëta, duke u dhënë mundësi të vijojnë studimet edhe pas përfundimit të ciklit bachelor.
Qeveria mbulon mbi 80% të kostos së studimeve në Universitetin e Mjekësisë
Duke iu referuar protestave të studentëve të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Rama deklaroi se tarifat që paguajnë studentët përfaqësojnë më pak se 20% të kostos reale të studimeve.
Sipas tij, mbi 80% e kostos së studimit për studentët e mjekësisë mbulohet nga buxheti i shtetit, pa përfshirë këtu përfitimet shtesë për studentët që përjashtohen plotësisht nga tarifat ose përfitojnë përgjysmimin e tyre.
Në nivelin e përgjithshëm të universiteteve publike, Kryeministri deklaroi se qeveria siguron rreth tre të katërtat e financimit.
Rama kritikoi një pjesë të studentëve protestues, të cilët, sipas tij, prej dy javësh kanë ndërprerë mësimin dhe kanë bllokuar Rrugën e Durrësit, duke penguar qarkullimin dhe aktivitetin e bizneseve.
Ai argumentoi se financimi i universiteteve dhe bursave sigurohet nga kontributet e qytetarëve dhe bizneseve, ndaj bllokimi i aktivitetit ekonomik dëmton edhe burimet nga të cilat financohet arsimi i lartë.
Megjithatë, Kryeministri shprehu gatishmërinë për të diskutuar me studentët edhe rishikimin e Paktit për Universitetin, duke i ftuar ata në dialog.
100 milionë euro të tjera për konviktet, lehtësi për qiratë dhe kreditë
Një tjetër pjesë e deklaratës u përqendrua te strehimi i studentëve.
Rama bëri të ditur se tarifat që studentët paguajnë për akomodimin në konviktet e Tiranës mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore të shërbimit, ndërsa pjesa tjetër financohet nga burime publike.
Ai njoftoi se janë negociuar dhe miratuar prej kohësh edhe 100 milionë euro të tjera për investime në konvikte, me synim zgjerimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve të akomodimit.
Paralelisht, Kryeministri iu referua projektligjit të ri për strehimin social, i cili ndodhet në Parlament dhe parashikon instrumente të reja mbështetëse për studentët dhe çiftet e reja.
Mes tyre përfshihen skemat e bashkëfinancimit të qirave nga qeveria, si dhe mundësia e përfitimit të kredive me interes zero ose 3%, në varësi të kategorive dhe kritereve që do të përcaktojë legjislacioni.
Këto masa synojnë të lehtësojnë kostot e strehimit, një nga shpenzimet më të rëndësishme për studentët që ndjekin studimet larg vendbanimit të tyre.
Praktikat profesionale, bizneset do të duhet të punësojnë studentë me gjysmë page minimale
Një tjetër risi e paralajmëruar lidhet me praktikat e punës dhe përfshirjen e studentëve në tregun e punës.
Rama deklaroi se qeveria po përgatit një mekanizëm të ri që do t’u vendosë bizneseve detyrimin për të punësuar studentë, sipas një formule të caktuar, me një pagesë sa gjysma e pagës minimale.
Nëse paga minimale e referencës është 50 mijë lekë, pagesa për studentët do të ishte 25 mijë lekë në muaj.
Megjithatë, Kryeministri nuk dha detaje mbi kategoritë e bizneseve që do t’i nënshtrohen këtij detyrimi, numrin e studentëve që duhet të punësojnë apo kohëzgjatjen e praktikave.
Këto elemente pritet të sqarohen në aktet përkatëse që do të përgatisë qeveria.
Platformë digjitale për dialogun me studentët
Kryeministri njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim do të hapet një platformë digjitale e dedikuar për komunikimin me studentët.
Sipas tij, kjo hapësirë do t’u japë mundësi studentëve të paraqesin shqetësime, propozime dhe kërkesa, përfshirë ata që nuk dëshirojnë të shprehen publikisht për shkak të presionit në rrjetet sociale.
Platforma do të përdoret nga Kryeministri dhe anëtarë të qeverisë për të mbledhur mendime dhe për të zhvilluar dialog mbi çështjet që lidhen me arsimin e lartë.
Rama deklaroi se është i gatshëm të takohet me studentët në vendin dhe kohën që ata do të zgjedhin, duke lënë të hapur mundësinë e rishikimit të angazhimeve të Paktit për Universitetin./ekofin.al
