Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kundërshton ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e tatimit mbi fitimin, dividendët dhe TVSH-në mund të rëndojë kostot e bizneseve, të ushtrojë presion mbi çmimet dhe të dobësojë konkurrueshmërinë e ekonomisë. Shoqata kritikon gjithashtu mungesën e konsultimit me komunitetin e biznesit përpara hartimit të ndryshimeve fiskale.
Në një reagim publik, shoqata “Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë” shpreh shqetësimin për masat që pritet të përfshihen në paketën e re fiskale, duke kundërshtuar fuqimisht çdo ndërhyrje që hartohet pa një proces real dhe transparent konsultimi me sipërmarrjen.
Sipas informacionit paraprak të referuar nga shoqata, ndryshimet parashikojnë rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17% dhe të tatimit mbi dividendët nga 8% në 15%.
Gjithashtu, pritet rritja e normës standarde të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20% në 21%, ndërsa norma e reduktuar për sektorin e turizmit mund të rritet nga 6% në 10%.
Një tjetër ndryshim i pritshëm është përgjysmimi i pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH, nga 10 milionë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor, duke filluar nga 1 janari 2027.
Rreth 85 milionë euro barrë shtesë për bizneset
Sipas vlerësimeve paraprake të përmendura nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, vetëm rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendët pritet të sjellë rreth 85 milionë euro barrë shtesë në vit për bizneset dhe aksionerët.
Ndërkohë, ulja e pragut të TVSH-së pritet të përfshijë rreth 17 516 tatimpagues të rinj në skemën e këtij tatimi.
Shoqata paralajmëron se rritja e tatimit mbi fitimin do të reduktojë burimet financiare që kompanitë kanë në dispozicion për investime, zgjerim të aktivitetit dhe modernizim të kapaciteteve prodhuese.
Në të njëjtën kohë, rritja e tatimit mbi dividendët do të ulë kthimin neto për aksionerët, duke ndikuar potencialisht edhe në vendimmarrjen për investime të reja.
Për sektorin prodhues, i cili ka nevojë për investime të vazhdueshme në teknologji, pajisje dhe rritjen e produktivitetit, këto ndryshime konsiderohen një faktor shtesë që mund të kufizojë mundësitë e zhvillimit.
Rritja e TVSH-së mund të ushtrojë presion mbi çmimet
Një tjetër shqetësim lidhet me ndikimin e mundshëm të rritjes së TVSH-së në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Sipas shoqatës, rritja e normës standarde nga 20% në 21% mund t’i vendosë bizneset përpara dy alternativave: transferimin e kostos shtesë te konsumatorët, përmes çmimeve më të larta, ose përthithjen e saj përmes uljes së marzheve të fitimit.
Në të dyja rastet, prodhuesit paralajmërojnë pasoja të mundshme për kërkesën konsumatore dhe konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve.
Efekte të ngjashme mund të shfaqen edhe në sektorin e turizmit, ku rritja e normës së reduktuar të TVSH-së nga 6% në 10% mund të ndikojë në kostot e shërbimeve dhe në konkurrueshmërinë e ofertës turistike shqiptare.
Mbi 17 mijë biznese të reja në TVSH, shtohen kostot administrative
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë ngre shqetësime edhe për uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH.
Nëse ndryshimi miratohet, bizneset me qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë do të përfshihen në skemën e TVSH-së, nga pragu aktual prej 10 milionë lekësh.
Për rreth 17 516 tatimpaguesit që vlerësohet se do të përfshihen rishtazi, kjo do të nënkuptojë detyrime të reja deklarimi, administrimi dhe dokumentimi fiskal.
Shoqata thekson se për bizneset e vogla mund të rriten edhe nevojat për likuiditet, duke krijuar vështirësi shtesë në administrimin e aktivitetit të përditshëm.
Një tjetër problematikë që ngrihet është konkurrenca e pandershme nga informaliteti.
Sipas prodhuesve, në mungesë të masave efektive për të luftuar aktivitetin informal, rritja e barrës fiskale mbi bizneset që deklarojnë rregullisht aktivitetin mund të thellojë pabarazinë në treg.
Prodhuesit kërkojnë konsultim përpara miratimit të ndryshimeve
Përtej efekteve financiare, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kritikon mënyrën e hartimit të ndryshimeve të pritshme fiskale.
Shoqata kërkon që qeveria të publikojë propozimet konkrete dhe analizat e ndikimit ekonomik, për t’u dhënë mundësi bizneseve të vlerësojnë pasojat dhe të paraqesin qëndrimet e tyre.
Gjithashtu, kërkohet organizimi i një procesi të strukturuar konsultimi me përfaqësuesit e sipërmarrjes përpara miratimit të paketës, si dhe përcaktimi i një periudhe të mjaftueshme për përshtatjen e bizneseve me rregullat e reja.
“Zëri i sipërmarrjes duhet të dëgjohet përpara çdo vendimmarrjeje me karakter ekonomik”, thekson Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë në reagimin e tij. /ekofin.al
