Në një kohë kur blegtorët kanë kërkuar marrjen e masave, për gjurmimin dhe ndalimin e aflatoksinës në zinxhirin prodhues të qumështit, KLSH ka evidentuar një rast klasik sesi kanë dështuar autoritetet, me në krye AKU, ku edhe pas bllokimit të një sasie misri me aflatoksinë, ai është shitur i tëri në treg.
Bëhet fjalë për një sasi prej 104 tonësh misër për ushqim kafshësh ka hyrë në Shqipëri pa iu nënshtruar kontrolleve laboratorike dhe masave të bllokimit të kërkuara në kufi, ndërsa analizat e kryera më vonë konfirmuan përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi kriteret e lejuara. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbuluar se produkti, edhe pasi u bllokua nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, u lëviz dhe u përdor ose u hodh në treg nga operatori.
Rasti është trajtuar në raportin e auditimit të performancës për kontrollin e cilësisë dhe importimin e drithërave.
Sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga KLSH, 104 tonët e misrit rifuxho u importuan nga subjekti “Modi sh.p.k.” përmes tri ngarkesave gjatë periudhës 18 nëntor–10 dhjetor 2025. Megjithëse ekzistonte një njoftim alarmi që kërkonte kontrolle specifike, në Pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit nuk rezulton të jenë marrë mostra apo të jetë vendosur masa e bllokimit të produktit.
Si pasojë, misri hyri në qarkullim pa iu verifikuar paraprakisht siguria dhe u administrua nga operatori, duke u përzier edhe me lote të tjera.
Analizat konfirmuan aflatoksinën, por bllokimi nuk u respektua
Vetëm gjatë inspektimeve të kryera në shkurt dhe mars 2026, strukturat e AKU-së në Shkodër konstatuan praninë e misrit të importuar nga Serbia dhe ndërmorën procedurat për marrjen e mostrave dhe bllokimin e produktit.
Analizat laboratorike të mostrave të marra nga sasia prej 104 tonësh rezultuan jokonforme për aflatoksinën B1, një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, prania e së cilës në ushqimin për kafshë përbën rrezik për sigurinë ushqimore.
Megjithatë, gjatë verifikimeve të mëvonshme inspektorët konstatuan se operatori kishte lëvizur produktin e bllokuar dhe kishte hequr shenjat dalluese të bllokimit. Sipas KLSH-së, sasia e kontaminuar ishte përdorur ose hedhur në treg, ndërsa subjekti pretendonte se produkti ishte përdorur për ushqimin e shpendëve.
Në një tjetër konstatim, inspektorët zbuluan se 26 tonë misër, të bllokuara më parë në një silos, nuk gjendeshin më në formën fillestare, pasi ishin përpunuar në ushqim të gatshëm për pula.
Për shkeljet e gjetura u vendosën masa administrative dhe u urdhërua asgjësimi i produktit jokonform.
639.5 tonë misër të administruara, gjurmueshmëri e paplotë e shitjeve
Auditimi vëren gjithashtu se gjatë periudhës nëntor 2025–mars 2026, operatori kishte administruar rreth 639.5 tonë misër rifuxho me origjinë nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ishte tregtuar përmes shitjeve të lira, pa dokumentacion të mjaftueshëm për të përcaktuar destinacionin e saktë të produktit.
Sipas KLSH-së, subjekti nuk dispononte regjistra të plotë gjurmueshmërie, nuk kishte kushte të përshtatshme për ndarjen e loteve dhe nuk ishte në gjendje të lidhte në mënyrë të besueshme faturat e furnizimit me origjinën, përdorimin dhe shitjen e sasive të misrit.
Këto mangësi e vështirësuan identifikimin e rrugës që kishte ndjekur produkti pas importimit dhe izolimin e sasive me rrezik.
Problematika bëhet edhe më e rëndësishme për shkak se misri ishte i destinuar për ushqimin e shpendëve, duke e lidhur rastin me kontrollin e sigurisë përgjatë zinxhirit të prodhimit ushqimor.
KLSH arrin në përfundimin se mosmarrja e mostrave në kufi, mungesa e bllokimit fillestar dhe mosrespektimi i masave nga operatori krijuan kushtet që një produkt i kontaminuar të përdorej ose të tregtohej.
Në përmbyllje të gjetjeve, auditimi kërkon forcimin e kontrolleve në pikat kufitare, shkëmbimin elektronik të informacionit ndërmjet institucioneve dhe përmirësimin e gjurmueshmërisë së ngarkesave, për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme. /ekofin.al
