Rreth 68% e operatorëve të licencuar në sektorin e drithërave dhe miellit në Shqipëri nuk janë inspektuar asnjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) gjatë periudhës 2020–2025. Ndërkohë, vetëm gjatë vitit të fundit të kësaj periudhe, numri i kontrolleve në sektor pothuajse u përgjysmua, duke ngritur shqetësime për mbikëqyrjen e sigurisë së produkteve bazë që konsumohen nga familjet shqiptare.
Sipas raportit të auditimit të performancës të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), nga 56 operatorë të licencuar në grumbullimin, magazinimin, përpunimin dhe tregtimin e drithërave dhe miellit, vetëm 18 subjekte, ose 32%, rezultojnë të jenë inspektuar të paktën një herë në gjashtë vite. Për 38 operatorët e tjerë, që përfaqësojnë 68% të totalit, nuk rezulton asnjë inspektim gjatë kësaj periudhe.
KLSH thekson se këta operatorë përfshijnë edhe biznese me kapacitete të mëdha grumbullimi, magazinimi dhe shpërndarjeje. Mungesa e kontrolleve krijon rrezikun që probleme me kushtet e ruajtjes, higjienën apo gjurmueshmërinë e produkteve të mos identifikohen në kohë, duke prekur potencialisht sasi të konsiderueshme drithërash dhe një numër të gjerë konsumatorësh.
Në vitin 2025, vetëm 46 inspektime nga 87 të planifikuara
Të dhënat e auditimit tregojnë një përkeqësim të aktivitetit inspektues në vitin 2025. Nga 91 kontrolle të realizuara në vitin 2024, numri ra në 46 në vitin 2025, ose rreth 49.5% më pak.
Për vitin 2025 ishin planifikuar 87 inspektime, por u realizuan vetëm 46, ekuivalente me 52.9% të planit. Nga këto, vetëm 37 ishin kontrolle të parashikuara në program, ndërsa 9 u zhvilluan jashtë tij.
Sipas KLSH-së, kjo rënie lidhet me pezullimin e planit të inspektimeve në terren me bazë risku nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Vendimi ishte marrë në kuadër të shqetësimeve për mënyrën e kryerjes së inspektimeve, ankesave të bizneseve dhe nevojës për të adresuar praktikat abuzive.
Megjithatë, auditimi vëren se pezullimi ndikoi në reduktimin e ndjeshëm të mbikëqyrjes së planifikuar të sektorit.
Në të gjithë periudhën 2020–2025, AKU kishte planifikuar 475 inspektime dhe kishte realizuar 478. Por vetëm 355 prej tyre ishin kryer sipas planit, ndërsa 123, ose 25.7% e totalit, ishin jashtë programit.
Kjo tregon se, megjithëse numri i përgjithshëm i kontrolleve rezulton pak më i lartë se plani, mbikëqyrja nuk ka qenë gjithmonë e organizuar sipas risqeve të identifikuara.
Kontrolle pa prova të mjaftueshme për të verifikuar punën e inspektorëve
KLSH ka gjetur gjithashtu probleme me dokumentimin e kontrolleve. Nga 478 inspektime të realizuara në sektor, vetëm 113, ose 23.6%, rezultuan me masa administrative dhe dokumentimin përkatës.
Sipas auditimit, inspektorët përgjithësisht dokumentojnë rastet kur konstatojnë shkelje, ndërsa praktikat e tjera nuk përmbajnë gjithmonë dokumentacionin mbështetës, si fotografi, dokumente të shqyrtuara apo prova të tjera që tregojnë çfarë është kontrolluar konkretisht.
KLSH vëren se kjo situatë e bën të pamundur verifikimin e plotë të procesit pas përfundimit të inspektimit dhe vlerësimin nëse vendimmarrja e inspektorëve ka qenë e argumentuar.
Auditimi rekomandon përmirësimin e planifikimit të inspektimeve sipas riskut, zgjerimin e mbulimit të operatorëve të licencuar dhe dokumentimin e plotë të kontrolleve, me qëllim që mbikëqyrja të mos kufizohet te reagimi pas konstatimit të problemeve. /ekofin.al
