Revolut njoftoi prezantimin e Revolut Ventures, një platformë të re të zhvilluar në bashkëpunim me Carne Group, e cila do t’u mundësojë investitorëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara të investojnë në kompani private të teknologjisë, një treg investimesh tradicionalisht i rezervuar për individët e pasur dhe institucionet e mëdha financiare.
Kompanitë private të teknologjisë po qëndrojnë gjithnjë e më gjatë jashtë bursës. Sipas të dhënave të cituara nga Revolut në njoftimin e publikuar të hënën, mosha mediane e kompanive në momentin e listimit në bursë është rritur nga 6.9 vite në vitin 2014, në 11 vite në vitin 2025.
Kjo do të thotë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e rritjes dhe e vlerës së këtyre kompanive krijohet përpara se aksionet e tyre të bëhen të disponueshme në tregjet publike dhe të mund të blihen nga investitorët individualë.
“Me Revolut Ventures, synojmë të heqim një nga pengesat e fundit në administrimin e pasurisë: përjashtimin e investitorëve individualë nga mundësia për të investuar në kompani të palistuara në bursë”, deklaroi Rolandas Juteika, drejtues i sektorit të Menaxhimit të Pasurisë dhe Tregtimit të Revolut për Zonën Ekonomike Evropiane (EEA).
“Krijimi i vlerës ndodh shumë kohë përpara ofertës publike fillestare (IPO). Duke administruar platformën tonë, ne u japim investitorëve të zakonshëm mundësinë të investojnë te kompanitë që mund të bëhen liderët e tregut të së nesërmes, drejtpërdrejt nga aplikacioni Revolut”, shtoi Juteika.
Platforma e re pritet të bëhet e disponueshme në vitin 2027 dhe do të integrohet në aplikacionin Revolut, krahas alternativave ekzistuese të investimit, si aksionet, fondet e tregtuara në bursë (ETF), obligacionet dhe fondet e tregut monetar.
Njoftimi vjen pas prezantimit, në korrik 2026, të produkteve të investimit në tregjet private në disa vende të përzgjedhura të Zonës Ekonomike Evropiane.
Megjithatë, investimet në kompanitë private mbartin rreziqe të konsiderueshme.
Ndryshe nga aksionet e tregtuara në bursë, këto investime janë më të vështira për t’u shitur dhe investitorët mund të humbasin një pjesë të konsiderueshme ose të gjithë kapitalin e investuar.
Lançimi i platformës vjen në një kohë kur Revolut po vijon zgjerimin e aktivitetit, pasi ka siguruar licenca të plota bankare në Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë gjatë këtij viti.
Kompania britanike e teknologjisë financiare (fintech), e cila synon të diversifikojë burimet e të ardhurave, po shqyrton gjithashtu mundësinë e një listimi të dyfishtë në bursat e Londrës dhe Nju Jorkut, megjithëse ende nuk është konfirmuar një datë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
