Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka shprehur shqetësimin e saj serioz për situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit në vend, pas përshkallëzimit të protestave dhe dëmtimeve të shkaktuara ndaj bizneseve. Në një reagim publik, Dhoma paralajmëron se pasiguria e zgjatur mund të rrezikojë jo vetëm vijimësinë e aktivitetit ekonomik, por edhe besimin e investitorëve vendas dhe të huaj ndaj Shqipërisë.
Sipas Dhomës Amerikane, raportimet e mbërritura nga anëtarët e saj tregojnë se shumë biznese janë përballur me dëmtime materiale dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa një pjesë e tyre kanë shprehur ndjesinë se janë lënë pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse.
Ky shqetësim, sipas organizatës që përfaqëson interesat e komunitetit të biznesit, kërkon reagim të menjëhershëm institucional për garantimin e sigurisë publike, mbrojtjen e njerëzve dhe pronës private, si dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës.
Dhoma Amerikane thekson se pas çdo biznesi të dëmtuar qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat dhe siguria ekonomike e të cilëve varen drejtpërdrejt nga vazhdimësia e aktivitetit.
“Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojë vazhdimësinë dhe ekzistencën e bizneseve, me pasoja afatgjata për ekonominë në tërësi”, theksohet në deklaratë.
Një tjetër shqetësim lidhet me ndikimin që situata mund të ketë në klimën e investimeve. Sipas Dhomës, pasiguria për mbrojtjen e njerëzve dhe pronës rrezikon të cenojë besimin e investitorëve, duke ndikuar në vendimmarrjen e tyre për të investuar apo zgjeruar aktivitetin në Shqipëri.
Dhoma Amerikane kërkon nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe të përgjegjshme për uljen e tensioneve, garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Njëkohësisht, ajo u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, përmes të cilit shqetësimet legjitime të adresohen në përputhje me mekanizmat demokratikë. /ekofin.al
