Bizneset në Shqipëri do të duhet të certifikojnë kodin e aktivitetit të tyre ekonomik (NVE) dhe ta verifikojnë atë çdo vit pranë Dhomës Ekonomike Kombëtare. Mosdepozitimi i certifikatës brenda afateve të përcaktuara për regjistrimin fillestar dhe subjektet ekzistuese mund të sjellë pezullimin automatik të statusit në regjistrin tregtar.
Ndryshimet parashikohen në një vendim të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, që ndryshon procedurat e regjistrimit dhe publikimit të të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Sipas vendimit, bizneset e reja do të duhet ta depozitojnë certifikatën NVE nëpërmjet e-Albania brenda 30 ditëve kalendarike nga regjistrimi. Certifikimi nuk do të jetë kusht për marrjen e NIPT-it, por nëse dokumenti nuk dorëzohet brenda afatit, sistemi do ta kalojë automatikisht subjektin në statusin «i pezulluar», deri në përmbushjen e detyrimit.
Detyrimi shtrihet edhe te bizneset ekzistuese që nuk janë pajisur me certifikatën përkatëse. Ato do të kenë një vit kohë për ta depozituar, duke filluar nga aktivizimi efektiv i procedurës dhe plotësimi i kushteve teknike. Në të kundërt, do të përballen me pezullimin e statusit.
Parashikohet gjithashtu verifikimi i përvitshëm i kodit NVE. Certifikata e rinovuar duhet të depozitohet brenda 30 ditëve nga përfundimi i vlefshmërisë njëvjeçare të dokumentit të mëparshëm.
Vebdimi nuk përcakton nëse certifikimi dhe rinovimi do të shoqërohen me tarifa për bizneset.
Regjistrim me koordinata GPS dhe shkëmbim automatik i bilanceve
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu që vendndodhja e bizneseve të identifikohet edhe përmes koordinatave gjeografike GPS, të cilat do të gjenerohen ose verifikohen nga sistemi elektronik i QKB-së. Në rast ndryshimi të adresës, koordinatat do të përditësohen automatikisht.
Për pasqyrat financiare, parashikohet depozitimi në format elektronik të strukturuar dhe transmetimi automatik i tyre nga QKB te Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Vendimi rregullon gjithashtu lëshimin pa pagesë të ekstrakteve elektronike, përfshirë ato historike, ndërsa parashikon plotësimin dhe nënshkrimin elektronik të akteve të themelimit.
Dispozitat kryesore për certifikimin e aktivitetit, koordinatat GPS dhe pasqyrat financiare parashikohen të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, por zbatimi i tyre do të varet nga përgatitja e sistemeve elektronike dhe ndërveprimi ndërinstitucional. Edhe ndërlidhja me Dhomën Ekonomike Kombëtare për kodin NVE parashikohet të nisë aplikimin nga janari i vitit të ardhshëm. /ekofin.al
