Konsumatorët e shohin me pesimizëm gjendjen e ekonomisë së vendit në të ardhmen, kjo ndikuar edhe nga situata e tyre aktuale financiare, aftësia blerëse dhe pritshmëria për një nivel më të lartë papunësie.
Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi besimin e biznesit dhe konsumatorit, treguesi i ndjesisë ekonomike ka pësuar një ulje prej 1.1 pikësh në muajin maj. Kjo rënie ka ardhur si rrjedhojë e niveleve më të ulëta të besimit në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të konsumatorëve. Treguesi i besimit konsumator regjistroi rënie me 4.9 pikë përqindje në muajin maj, duke ndërprerë prirjen rritëse të dy muajve të fundit dhe duke qëndruar pranë nivelit të mesatares historike.
Si një nga sektorët që ka njohur rritje të vazhdueshme dhe që ka udhëhequr edhe rritjen ekonomike në vitet e fundit, sektori i ndërtimit vijoi të ketë nivelin më të lartë të optimizmit.
Niveli i tij qëndron 20 pikë mbi mesataren historike dhe pranë maksimumit historik. Megjithatë, gjatë muajit maj, besimi te ky sektori pësoi një rënie të lehtë, kryesisht nga vlerësimet në rënie për aktivitetin aktual ndërtues.
Besimi në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë kanë shënuar rritje. Pritjet më optimiste për punësimin në të ardhmen kanë ndikuar në rritjen me 1.3 pikë përqindje të treguesit të besimit në tregti në muajin maj. Vlerësimet për ecurinë aktuale të biznesit qëndruan në nivel të njëjtë me muajin e kaluar, ndërsa parashikohet një rritje e çmimeve në vijim. Duket se në këtë drejtim ka kontribut rritja e mëtejshme e turizmit, që ka ndikuar direkt në rritjen e besimit te sektorët e shërbimeve dhe tregtisë.
