Aksionet në të gjithë Evropën ranë në fillim të tregtimit të së hënës, ndërsa Franca po përballet me një nga fundjavat më të dhunshme të viteve të fundit. Pronarët e dyqaneve dhe drejtuesit e kompanive po vlerësojnë dëmet dhe akuzojnë autoritetet se i kanë lënë të pambrojtur.
Indeksi Euro Stoxx 50 shënoi një rënie prej vetëm 0,1%, ndërsa indeksi më i gjerë pan-evropian Stoxx 600 ra me mbi 0,6% në fillim të sesionit të së hënës.
Në Francë, indeksi CAC 40 ra me 0,5%. Për shembull, aksionet e rrjetit të shitjeve me pakicë Carrefour, i cili njoftoi se 50 prej dyqaneve të tij ishin shënjestruar nga grabitësit, ranë me më shumë se 2%.
Edhe kostot e huamarrjes së Francës u rritën, ndërsa parlamenti i përçarë po diskuton buxhetin për vitin 2027. Yield-i i obligacioneve shtetërore franceze me maturim 10-vjeçar arriti në 4,86%, pasi në fillim të këtij muaji kishte prekur nivelin më të lartë që nga viti 2002.
Diferenca me obligacionet gjermane, një tregues i shqetësimit të investitorëve, arriti në 143,5 pikë bazë. Në fillim të tetorit, ajo kishte kaluar 150 pikë bazë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga kriza e borxhit të euros.
Agjencia e vlerësimit të kreditit Moody’s do të rishikojë të premten vlerësimin Aa3 të Francës, i cili aktualisht ka një perspektivë negative.
Sa u përket indekseve të tjera evropiane, FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar, FTSE MIB i Italisë dhe IBEX 35 i Spanjës shënuan rënie nga 0,4% deri në 0,6% krahasuar me mbylljen e së premtes.
Indeksi gjerman DAX kryesoi rëniet, duke zbritur me më shumë se 0,8%, ndërsa AEX i Holandës ishte përjashtim, me një rritje prej mbi 0,4%.
Euroja ra me 0,2% kundrejt dollarit amerikan, duke u këmbyer me rreth 1,121 dollarë. Ajo humbi gjithashtu 0,2% kundrejt paundit britanik, duke zbritur në rreth 0,841 paund.
Javën e kaluar, euroja ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit amerikan që nga mesi i majit 2025 dhe kundrejt paundit britanik që nga fillimi i qershorit 2025. Problemet e borxhit të Francës dhe forcimi i dollarit amerikan po e tejkalojnë ndikimin e dy uljeve të normave të interesit të kryera këtë vit nga Banka Qendrore Evropiane.
Takimi i radhës i Bankës Qendrore Evropiane është më 29 tetor.
Autoritetet vlerësuan se rreth 550 mijë persona morën pjesë në marshimet mbarëkombëtare të së shtunës kundër rritjes së kostos së jetesës dhe gjendjes së shkollave franceze. Protestat degjeneruan në trazira dhe plaçkitje në Paris, Lion, Marsejë, Bordo dhe qytete të tjera.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se 2 400 persona u arrestuan, ndërsa numri i efektivëve të policisë, xhandarmërisë dhe zjarrfikësve të plagosur raportohet të jetë nga 500 deri në afro 1 000.
Nuñez, i cili pranoi se autoritetet nuk i kishin parashikuar siç duhet ngjarjet dhe se në disa qytete kishin humbur kontrollin, ofroi dorëheqjen. Megjithatë, presidenti Emmanuel Macron e refuzoi atë, njoftoi të hënën zyra e presidentit, duke argumentuar se forcave të sigurisë u nevojitej një drejtim i pandërprerë.
Drejtori ekzekutiv i Carrefour dhe kreu i Federatës Franceze të Tregtisë me Pakicë (FCD), Alexandre Bompard, tha se ishin dëmtuar rreth 1 500 dyqane, ndërsa fatura e dëmeve arrinte në qindra miliona euro. Ai theksoi se Republika duhet të mbrojë tregtarët.
Vetëm për Carrefour, “kostoja e riparimeve do të jetë dukshëm më e lartë se 10 milionë euro”, deklaroi Bompard.
Thierry Guibert, drejtori ekzekutiv i markës së modës Lacoste, dyqanet e së cilës, përfshirë ato të Lacoste dhe Aigle, u plaçkitën, i kërkoi shtetit francez përmes rrjeteve sociale të veprojë pa vonesë për të mbrojtur bizneset dhe punonjësit.
Edhe Thierry Cotillard, drejtues i rrjetit të supermarketeve Intermarché, shprehu në rrjetet sociale zemërimin e tij të thellë. Ndërkohë, Patrick Martin, kreu i organizatës së punëdhënësve Medef, i cilësoi plaçkitjet si të papranueshme.
Pronarët e bizneseve më të vogla u shprehën edhe më drejtpërdrejt.
Drejtuesi i kompanisë së shitjeve të pajisjeve për aktivitete në natyrë Snowleader tha se kishte njoftuar policinë kur grabitësit po hapnin me forcë derën e dyqanit të tij në Lion. Megjithatë, sipas tij, policia i kërkoi të priste dhe të rikontaktonte autoritetet të martën nëse askush nuk do të paraqitej.
Ndërkohë, kreu i shoqatës së tregtarëve të qendrës së Marsejës tha se bizneset ishin braktisur nga autoritetet.
Ndërkohë, sindikatat kanë bërë thirrje për një grevë kombëtare më 5 nëntor. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
