Mbi 15 filiale bankash në Shqipëri janë dëmtuar si pasojë e akteve të dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit. Situata ka detyruar një pjesë të bankave të marrin masa të menjëhershme sigurie, duke mbyllur përkohësisht disa prej degëve fizike, veçanërisht ato që ndodhen në zonat më të prekura nga protestat, kryesisht në qendër të Tiranës.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka reaguar lidhur me dëmet e shkaktuara ndaj institucioneve financiare, duke garantuar qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta dhe se stabiliteti i sistemit bankar nuk është i rrezikuar.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ibrahimaj bëri të ditur se aktet e dhunës kanë goditur drejtpërdrejt hapësirat ku qytetarët kryejnë veprimet e tyre të përditshme financiare.
“Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit, duke goditur hapësirat ku qytetarët marrin pagat, kryejnë transaksione dhe përmbushin detyrimet e tyre të përditshme”, deklaroi ministrja.
Përshkallëzimi i protestave dhe dëmtimi i disa objekteve bankare ka sjellë masa të shtuara sigurie nga institucionet financiare.
Gjatë dy ditëve të fundit, një sërë bankash kanë njoftuar klientët, përmes kanaleve të tyre zyrtare të komunikimit, për mbylljen e përkohshme të disa degëve fizike, kryesisht në zonat ku janë përqendruar protestat dhe ku ka pasur përplasje e akte dhune.
Masat kanë prekur veçanërisht degët bankare në zonat qendrore të Tiranës, ku situata e sigurisë dhe kufizimet e qarkullimit kanë vështirësuar funksionimin normal të shërbimeve.
Bankat u kanë bërë thirrje klientëve që, për veprimet që nuk kërkojnë domosdoshmërisht praninë fizike, të përdorin kanalet alternative të shërbimit, përfshirë aplikacionet e mobile banking dhe platformat e internet banking.
Këto masa synojnë të garantojnë sigurinë e punonjësve dhe klientëve, si dhe vijimësinë e shërbimeve financiare në kushtet e krijuara.
Ndërkohë, ministrja Ibrahimaj ka kërkuar të shmangë çdo shqetësim të qytetarëve lidhur me sigurinë e kursimeve të tyre në banka, duke theksuar se sistemi financiar shqiptar mbetet i qëndrueshëm.
“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët se depozitat e tyre janë të sigurta. Sistemi ynë bankar është i shëndoshë, i mirëkapitalizuar dhe i mbikëqyrur”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres, përpjekjet për të krijuar panik dhe për të dëmtuar besimin e qytetarëve në ekonomi nuk do të cenojnë stabilitetin financiar të vendit.
“Asnjë përpjekje për të përhapur panik dhe për të cenuar besimin te ekonomia shqiptare nuk do të na pengojë në garantimin e stabilitetit financiar”, theksoi ajo.
Reagimi vjen në një moment kur tensionet e ditëve të fundit kanë ndikuar jo vetëm në funksionimin e institucioneve publike dhe qarkullimin rrugor, por edhe në aktivitetin e bizneseve dhe ofrimin e shërbimeve financiare në kryeqytet.
Mbyllja e përkohshme e degëve bankare përbën një ndër pasojat e drejtpërdrejta ekonomike të situatës së krijuar, pasi kufizon aksesin fizik të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet bankare, megjithëse një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve mund të vijojnë përmes kanaleve digjitale.
Në përfundim të reagimit të saj, ministrja e Ekonomisë dënoi dhunën dhe bëri thirrje për qetësi.
“Shqiptarët nuk e duan dhunën. Shqiptarët nuk e duan rrëmujën. Shqipëria është e shqiptarëve!”, përfundoi Ibrahimaj. /ekofin.al
