Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodologjisë së harmonizuar evropiane që përdor Eurostat, arriti në 2.7% në shtator 2026, duke qëndruar poshtë mesatares prej 3.8% të Bashkimit Evropian. Megjithatë, pas këtij treguesi të përgjithshëm fshihen rritje të ndjeshme të çmimeve në disa kategori shpenzimesh, veçanërisht në transport, argëtim dhe shërbime.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), inflacioni në Shqipëri rezulton 1.1 pikë përqindjeje më i ulët se mesatarja e BE-së.
Ky tregues përdoret për të krahasuar ndryshimet e çmimeve ndërmjet vendeve evropiane, duke zbatuar një metodologji të përbashkët statistikore.
Nga krahasimi ndërkombëtar i paraqitur në raportin e INSTAT, Shqipëria renditet në grupin e vendeve me inflacion relativisht të ulët. Në krye të renditjes qëndrojnë Rumania, Lituania, Bullgaria dhe Islanda, ndërsa ndër vendet me rritjen më të ulët të çmimeve janë Suedia, Zvicra dhe Hungaria.
Transporti dhe argëtimi, rritjet më të forta të çmimeve
Megjithëse inflacioni i përgjithshëm është 2.7%, disa grupe mallrash dhe shërbimesh kanë regjistruar rritje shumë më të larta.
Rritjen më të fortë vjetore e ka shënuar grupi “Argëtim, sport dhe kulturë”, ku çmimet janë rritur me 8.7% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Pas tij renditet transporti, me një rritje prej 7.1%, duke u kthyer në një prej faktorëve kryesorë që kanë ndikuar në shtrenjtimin e kostos së jetesës.
Edhe çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit janë rritur me 3.2%, ndërsa shërbimet e sigurimeve dhe ato financiare kanë shënuar të njëjtën rritje.
Shërbimet arsimore janë shtrenjtuar me 3%, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 2.6%, ndërsa shëndetësia me 2.1%.
Në të kundërt, ulje vjetore të çmimeve janë regjistruar në grupin e veshjeve dhe këpucëve, me 2%, informacionit dhe komunikimit me 1.2%, si dhe mobiljeve dhe pajisjeve shtëpiake me 0.6%.
Ushqimet mbeten faktori kryesor i inflacionit
Pavarësisht se nuk kanë regjistruar rritjen më të lartë në përqindje, ushqimet vijojnë të japin ndikimin më të madh në inflacionin e përgjithshëm.
Sipas INSTAT, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 2.3% në terma vjetorë, duke kontribuar me 0.78 pikë përqindjeje në inflacionin total.
Ky ndikim lidhet edhe me peshën e konsiderueshme që zënë ushqimet në shportën e konsumit.
Transporti ka kontribuar me 0.59 pikë përqindjeje në rritjen e përgjithshme të çmimeve, ndërsa argëtimi, sporti dhe kultura me 0.56 pikë përqindjeje.
Një tjetër ndikim i rëndësishëm ka ardhur nga restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 0.38 pikë përqindjeje.
Këto katër kategori së bashku kanë dhënë rreth 2.31 pikë përqindjeje nga inflacioni total prej 2.7%, duke treguar përqendrimin e presioneve inflacioniste në disa prej grupeve kryesore të konsumit.
Çmimet u rritën me 0.4% vetëm gjatë shtatorit
Krahasuar me gushtin 2026, çmimet e konsumit në Shqipëri janë rritur mesatarisht me 0.4%.
Rritja më e fortë mujore është regjistruar në shërbimet arsimore, me 1.8%, e ndjekur nga argëtimi, sporti dhe kultura me 1.2%.
Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 1.1% brenda një muaji, ndërsa veshjet dhe këpucët me 0.9%.
Nga ana tjetër, ulja më e madhe mujore është regjistruar te mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja e banesës, me 1.2%. Restorantet dhe shërbimet e akomodimit kanë shënuar ulje prej 0.5%./ekofin.al

