Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë në Shqipëri u rritën me 10.5% në vitin 2025, duke arritur në 56,487 lekë, nga 51,122 lekë një vit më parë. Megjithatë, 39.4% e popullsisë vijon të jetë në rrezik varfërie ose përjashtimi social, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës 2025.
Treguesi i rrezikut për të qenë i varfër zbriti lehtë në 19%, nga 19.2% në vitin 2024. Ndërkohë, kufiri vjetor i rrezikut të varfërisë për një person u rrit në 349,565 lekë, nga 324,336 lekë një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se rritja e të ardhurave mesatare nuk është shoqëruar me zhdukjen e vështirësive ekonomike për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
Familjet me fëmijë përballen me rrezik më të lartë varfërie
Rreziku për të qenë i varfër është dukshëm më i lartë në familjet me fëmijë në varësi. Sipas INSTAT, 24.5% e individëve që jetojnë në familje me fëmijë janë në rrezik varfërie, kundrejt 11% të atyre që jetojnë në familje pa fëmijë në varësi.
Diferenca prej 13.5 pikësh përqindjeje evidenton ekspozimin më të lartë ekonomik të familjeve që duhet të përballojnë shpenzimet për rritjen dhe mirëmbajtjen e fëmijëve.
Në të njëjtën kohë, shkalla e thelluar e privimit material dhe social zbriti në 31.2%, nga 32.8% në vitin 2024. Ky tregues mat përqindjen e personave që jetojnë në familje të cilat nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga 13 nevojat bazë të përcaktuara nga metodologjia evropiane.
Pensionet ulin ndjeshëm rrezikun e varfërisë
Transfertat sociale vijojnë të kenë rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të ardhurave të familjeve. Sipas INSTAT, rreziku për të qenë i varfër ishte 35.9% përpara përfshirjes së transfertave sociale dhe zbriti në 21.9% pas përfshirjes së pensioneve.
Ky tregues nënvizon peshën e pensioneve të pleqërisë dhe familjare në të ardhurat e disponueshme të popullsisë.
Nga ana tjetër, 8.3% e individëve të grupmoshës 18–64 vjeç jetonin në familje me intensitet shumë të ulët punësimi, kundrejt 8.4% në vitin 2024.
Pabarazia në të ardhura shënon rritje
Pavarësisht rritjes së të ardhurave mesatare, treguesit e pabarazisë shënuan përkeqësim të lehtë.
Koeficienti Gini, që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, u rrit në 30.37% në vitin 2025, nga 29.83% një vit më parë.
Edhe raporti S80/S20, i cili krahason nivelin e të ardhurave të 20% të popullsisë me të ardhurat më të larta me atë të 20% të popullsisë me të ardhurat më të ulëta, u rrit nga 4.79 në 4.83.
Për grupmoshën nën 65 vjeç, ky raport u ngjit nga 5.05 në 5.16, ndërsa për personat mbi 65 vjeç zbriti lehtë nga 3.53 në 3.52.
Rreziku përjashtimit social mbetet i lartë
Në vitin 2025, 39.4% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social, sipas treguesit AROPE, nga 40.5% në vitin 2024. Megjithëse është shënuar një ulje prej 1.1 pikësh përqindjeje, treguesi mbetet i lartë.
Ky indikator përfshin personat që përballen me rrezik varfërie, privim të thelluar material dhe social ose jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët punësimi.
Sipas INSTAT, anketa e vitit 2025 përfshiu 7,553 njësi ekonomike familjare që iu përgjigjën studimit. Të ardhurat e përdorura për llogaritjen e treguesve i referohen vitit 2024, ndërsa të dhënat për privimin material dhe social pasqyrojnë situatën në momentin e intervistimit gjatë vitit 2025. /ekofin.al
