Qeveria ka paralajmëruar se po shqyrton mundësitë për një rishikim të ri të skemës së pensioneve. Pak ditë më parë, në një takim me administratën publike, Kryeministri Rama foli sërish rreth ndërhyrjes dhe synimit për të rritur pensionet.
“Na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.
E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, edhe FMN-ja, edhe BB-ja, edhe ÇC-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri.
Faktikisht, ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare, FMN dhe BB, kanë theksuar nevojën e një reforme të re, pasi skema aktuale, në vitin e dhjetë të zbatimit, pas ndërhyrjeve të vitit 2014, përballet me risqet e ndryshimeve demokrafike, si edhe me rritjen e shpejtë të numrit të përfituesve, ndërkohë që jo të njëjtin ritëm kanë ndjekur kontribuesit e rinj në këtë skemë.
Ekofin mëson se një nga opsionet kryesore në diskutim është ai i vendosjes së një dyshemeje, si vlera minimale nën të cilën të mos ketë më pensione në Shqipëri. Siç e përmendi Kryeministri, kjo shifër me shumë mundësi do të jetë 150 euro.
Gjithashtu, në tryezë është edhe opsioni i ndryshimit të indeksimit, rishikimit vjetor të pensioneve bazuar mbi inflacionin, ku po vlerësohet mundësia që të jetë i shkallëzuar, me rritje më të madhe për pensionet e ulëta dhe me ndryshime minimale për pensionet e larta. Për këtë, një mundësi mund të ishte rritja e pensioneve me vlerë fikse dhe jo me përqindje, siç është aplikuar deri tani.
Vitin e kaluar u vu re një rritje e numrit të pensioneve të pleqërisë. Sipas të dhënave të ISSH, 590,649 persona morën pension pleqërie në vitin 2023, me rritje vjetore 3,1%. Ky numër rezulton të jetë rritur me tej edhe në vitin 2024.
Nga ana tjetër, pensionet e reja të vitit 2023 ishin ndjeshëm më të ulëta se pensioni mesatar. Të dhënat zyrtare nga ISSH referojnë se ata që dolën në pension vitin e kaluar morën mesatarisht 15,560 lekë në muaj, vlerë kjo të paktën 15% më e ulët se pensioni mesatar në shkallë vendi mbi 18,300 lekë në muaj.
Të gjithë këto komponentë do të merren në konsideratë në momentin kur Qeveria të detajojë ndërhyrjen e re që do të bëhet në skemën e pensioneve. Por, një gjë duket e sigurt, do të ketë rritje për pensionet e ulëta dhe do të vendoset një vlerë dysheme, nën të cilën, nuk do të ketë më pensione në Shqipëri. Ekofin.al
